Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve të Europës, Elisa Spiropali në emisionin “Real Story” në ABC News u shpreh se synimi i Shqipërisë është të forcojë edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA me BE.
Gjatë intervistës Spiropali foli edhe për çështjen e Palestinës, ndërsa u shpreh se për sulmin e 7 tetorit Shqipëria ka mbajtur qëndrim nga më të fortët, duke e konsideruar Hamas, organizatë terroriste.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Flasim sot kur një ditë më parë Presidenti SHBA mbajti një fjalim shumë të fortë dhe shumë të ashpër në asamble ku ishit edhe ju sëbashku me Presidentin Begaj. Vijmë në një moment kur duket sikur lidershipi botëror me të cilin ne ishim mësuar në rastin më të mirë ka ndryshuar, në rastin më të keq duket sikur SHBA nuk është më, le të themi e kanë revizionuar pozicionin e tyre në gjeopolitikën botërore. Plus është edhe ajo ideja që me Trump duket sikur e gjithë bota rri me sytë nga televizori për të ndjekur deklaratat e tij. Pra, është një moment delikat në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ministrja Elisa Spiropali: Nuk është vetëm një moment delikat, është një moment që reflekton sfida të shumëfishta për kombet e bashkuara sfida të cilave jo gjithmonë kombet e bashkuara ia kanë dalë mbanë. Ndaj edhe Asambleja e Përgjithshme do adresojë atë që ata e kanë quajtur, nevojën për reformim, për më shumë efikasitet për më shumë ndikim në politikën botërore që nga financimi, qëndrimet e shteteve në KS, por edhe impakti që ka në terren kanë shumë rëndësi për mënyrën si kjo organizatë do formatohet në vitet që vijnë dhe që do ketë. Padiskutim fjalimi i Presidenti ngjalli shumë interes, edhe buzëqeshën edhe pati edhe shpërthime hilariteti që vetë presidenti po i nxiste në sallë, por ajo që është e qartë është që SHBA dhe ky president nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kombet e bashkuara dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga ndikimi dhe ushtrimi i këtij ndikimi në arenën ndërkombëtare. Kanë qëndrimet e tyre shumë të forta, mbi çështjet e Ukrainës dhe zhgënjimet, apo ato që pasoi pas takimeve me Putin, kanë qëndrimet e tyre për çështjen e izraelit dhe Palestinës, për situatën e klimës, për nevojën e reformimit të OKB, por SHBA do jenë aty të vendosur dhe ne si Shqipëri dhe në si shqiptarë besoj në të gjithë rajonin nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveç se të forcojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik me SHBA me BE ku duam të integrohem por padiskutim të mbajmë parasysh edhe interesin tonë kombëtar.
Sokol Balla: Por ka një problem, duke patur parasysh që së paku në çështje aktuale si ajo e Palestinës qëndrime i BE është shumë nga ai i SHBA. Kemi disa vende të BE që e kanë njohur në ditët e Asamblesë, si Franca, po fus edhe Anglinë, dhe nga ana tjetër patë reagimin e Trump që e quajti të padobishme njohjen e shtetit të Palestinës, e quajti një farë nxitje për Hamasin. Ju thoni do mbajmë qëndrim pro SHBA nga ana tjetër thoni do integrohemi në BE dhe të gjithë e dimë se kur u hap kapitulli i politikës së jashtme thanë se ky është një kapitull që Shqipëria e kalon kollaj pasi është pro politikave të BE. Por Palestina, ama është një çështje që e ndan BE nga Amerika. Ne ku rrimë?
Ministrja Spiropali: Ne kemi patur një qëndrim të linjëzuar me BE vijimësisht sa herë që BE ka mbajtur qëndrim unanim për çështje të caktuara, në rastet që ju përmendni nuk ka një qëndrim të BE. Ne i kemi dhënë vetes mundësi në këtë rast të linjëzohemi për çështje të caktuara apo të abstenojmë kur e kemi të arsyeshme. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë që nga fillimi. Kemi goditur dhe kemi mbajtur qëndrim nga më të fortët besoj, për sulmin e 7 tetorit, e konsiderojmë Hamas, Xhihadin Islamik dhe krahun ushtarak të Hezbollah, organizata terroriste. Ne besojmë që Izraeli ka të drejtë të padiskutueshme për t’u mbrojtur dhe për të siguruar edhe kufijtë pore dhe popullatën brenda këtij territori. Ashtu siç kemi shprehur dhe shqetësimin për gjendjen e rënduar humanitare në Gaza dhe për viktimat civile. Shqipëria nuk është një vend që mund të përcaktojë qëndrimet e shteteve të mëdha, por duhet të orientohet mirë sa i takon aleatëve dhe partnerëve tanë. Pra, linjëzim me BE qëndrim të vendosur që duhet të ketë një fund të kësaj lufte dhe sa më pak pasoja jo vetëm për Izraelin dhe Palestinën por edhe për rajonin e Lindjes së Mesme. Kemi besuar dhe besojmë se ndërmjetësimi i vendeve si SHBA apo Katari është i mirëpritur për të ndërmjetësuar armëpushim, por qëndrimi ynë në këtë pikë nuk devijon as nga qëndrimi i BE që nuk i linjëzuar nga të gjitha vendet, por as nga SHBA që është aleati ynë strategjik.