Shtëpia e Bardhë ka publikuar planin gjithëpërfshirës me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës, nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.
– Advertisement –
Plani propozon një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi, lirimin e pengjeve, rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një qeverisjeje të përkohshme teknokrate.
Ai parashikon gjithashtu një demilitarizim të plotë të territorit, ndihmë të madhe humanitare, si dhe krijimin e një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi për të garantuar sigurinë dhe rivendosjen e rendit.
Sipas autoriteteve amerikane, ky plan synon të sjellë paqe të qëndrueshme, zhvillim ekonomik dhe një rrugë të qartë drejt vetëvendosjes për popullin palestinez.
Plani Gjithëpërfshirës i Presidentit Donald J. Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza:
Gaza do të jetë një zonë e çmilitarizuar dhe pa terror, që nuk përbën kërcënim për fqinjët e saj.
Gaza do të rindërtohet për të mirën e popullit të Gazës, i cili ka vuajtur më shumë se mjaftueshëm.
Nëse të dyja palët pranojnë këtë propozim, lufta do të përfundojë menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen në vijën e rënë dakord për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve. Gjatë kësaj kohe, të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe artilerinë, do të ndalohen, dhe vijat e frontit do të mbeten të ngrira deri sa të përmbushen kushtet për një tërheqje të plotë dhe të fazuar.
Brenda 72 orëve pas pranimit publik të marrëveshjes nga Izraeli, të gjithë pengjet, të gjallë apo të vdekur, do të kthehen.
Pasi të lirohen të gjitha pengjet, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me dënime të përjetshme dhe 1700 banorë të Gazës të ndaluar pas 7 Tetorit 2023, përfshirë të gjitha gratë dhe fëmijët e ndaluar në atë kontekst. Për çdo peng izraelit të vdekur që kthehet, Izraeli do të kthejë mbetjet e 15 palestinezëve të vdekur.
Pasi të kthehen të gjithë pengjet, anëtarët e Hamasit që angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe për çarmatim do të marrin amnisti. Anëtarëve të Hamasit që duan të largohen nga Gaza do t’u ofrohet rrugëdalje e sigurt drejt vendeve pritëse.
Me pranimin e marrëveshjes, ndihma e plotë humanitare do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës. Së paku, ndihma do të jetë në të njëjtën sasi si marrëveshja e 19 janarit 2025 dhe do të përfshijë rehabilitimin e infrastrukturës (ujë, energji, kanalizime), spitaleve dhe furrave të bukës, si dhe hyrjen e pajisjeve të nevojshme për të pastruar rrënojat dhe hapur rrugët.
Shpërndarja e ndihmave do të bëhet pa ndërhyrjen e palëve, përmes OKB-së, Gjysmëhënës së Kuqe dhe organizatave ndërkombëtare neutrale. Hyrja dhe dalja nëpërmjet pikës kufitare Rafah do të ndjekë mekanizmin e marrëveshjes së 19 janarit 2025.
Gaza do të qeveriset përkohësisht nga një komitet teknokrat palestinez, jo politik, që do të kujdeset për shërbimet publike dhe menaxhimin e përditshëm. Ky komitet do të përbëhet nga palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar tranzitor “Bordi i Paqes”, i drejtuar nga Presidenti Donald Trump, me pjesëmarrje të liderëve të tjerë si ish-Kryeministri Tony Blair. Ky organ do të përcaktojë kornizën dhe do të administrojë financimin për rindërtimin e Gazës deri sa Autoriteti Palestinez të përmbushë reformat dhe të jetë në gjendje të marrë kontrollin.
Do të krijohet një plan zhvillimi ekonomik nga Trump për të rindërtuar dhe ringjallur Gazën, duke përfshirë një panel ekspertësh nga qytete moderne të suksesshme të Lindjes së Mesme. Do të përfshihen ide dhe propozime nga grupe ndërkombëtare për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe krijimin e shpresës për të ardhmen.
Do të krijohet një zonë ekonomike e veçantë me tarifa dhe kushte preferenciale që do të negociohen me vendet pjesëmarrëse.
Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza, dhe kushdo që dëshiron të largohet do të jetë i lirë ta bëjë dhe të kthehet. Do të inkurajohet popullsia të qëndrojë dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë në Gaza.
Hamasi dhe fraksionet e tjera nuk do të kenë asnjë rol në qeverisjen e Gazës. Të gjitha strukturat ushtarake dhe të terrorit do të shkatërrohen dhe nuk do të lejohen të rindërtohen. Do të ketë një proces të çmilitarizimit nën mbikëqyrjen e monitorëve të pavarur, që përfshin asgjësimin e armëve dhe programe të financuara ndërkombëtarisht për blerje armësh dhe ri-integrim të ish-luftëtarëve.
Partnerët rajonalë do të garantojnë që Hamasi dhe fraksionet të përmbushin detyrimet e tyre dhe që Gaza e Re të mos përbëjë kërcënim për askënd.
SHBA do të punojë me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar një Forcë të Përkohshme Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) që do të dislokohet menjëherë në Gaza. Kjo forcë do të trajnojë policinë palestineze dhe do të punojë me Jordaninë dhe Egjiptin. ISF do të ndihmojë në mbrojtjen e kufijve dhe në pengimin e hyrjes së armëve, duke lehtësuar rrjedhën e mallrave për rindërtim.
Izraeli nuk do të pushtojë apo aneksojë Gazën. Me stabilizimin e ISF-së, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit do të tërhiqen sipas standardeve dhe afateve të rëna dakord. Ata do të dorëzojnë gradualisht kontrollin ISF-së dhe autoritetit tranzitor, duke mbajtur një prani sigurie në kufij deri në çrrënjosjen e çdo kërcënimi të mundshëm terrorist.
Nëse Hamasi e vonon ose refuzon këtë propozim, plani do të zbatohet në zonat e çliruara nga IDF dhe të dorëzuara ISF-së.
Do të themelohet një proces dialogu ndërfetar bazuar në tolerancë dhe bashkëjetesë paqësore për të ndryshuar mentalitetet dhe narrativat tek palestinezët dhe izraelitët.
Ndërsa Gaza zhvillohet dhe reformat në Autoritetin Palestinez përmbushen, do të krijohen kushtet për vetëvendosje dhe shtetësi për popullin palestinez – një aspiratë e njohur ndërkombëtarisht.
Shtetet e Bashkuara do të nisin një dialog mes Izraelit dhe palestinezëve për të ndërtuar një horizont politik drejt bashkëjetesës paqësore dhe të begatë.