Pas një seance të karakterizuar nga tensioni dhe debatet e ashpra, mazhoranca dhe opozita arritën konsensus për përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare. Në seancën e sotme plenare, u miratuan kryetarët dhe anëtarët e komisioneve, duke zgjidhur përfundimisht ngërçin e krijuar nga mosmarrëveshjet për ndarjen 7 me 4, të cilën opozita e kishte kundërshtuar duke refuzuar të paraqiste emrat e saj.
Me 94 vota pro, 3 abstenime dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi përbërjen e 11 komisioneve të përhershme. Anëtarët zëvendësues u miratuan me 87 vota pro, 4 abstenime dhe 2 kundër, ndërsa kryesitë e komisioneve u votuan me 83 pro, 2 abstenime dhe 1 kundër.
Megjithëse votimet ishin të pritshme, seanca zgjati më shumë se parashikohej për shkak të kërkesës së përsëritur nga deputetët e Partisë Demokratike për ripërsëritjen e seancës së 18 shtatorit, ku u votua programi i qeverisë vetëm me votat e PS dhe pa debat parlamentar.
Në fjalën e tij, Sali Berisha e cilësoi procesverbalin e asaj seance si “më të turpshmin” në historinë e Kuvendit.
“Akti i vetëm që kjo seancë mund të bëjë për atë procesverbal, ta hedhë në koshin e plehrave seancën dhe procesverbalin. Do të mbetet në arkivat e këtij shteti si procesverbali më i turpshëm dhe ky turp do të mbulojë ata të cilët zhvilluan një seancë si ajo, e pashembullt dhe e bënë atë vetëm e vetëm për të fshehur, për të maskuar 18 Erjon Veliaj”, tha Berisha.
Jozefina Topalli, gjithashtu, shprehu kritika të ashpra ndaj mënyrës si nisi legjislatura:
“Mund të pyesni Ruçin që a ka ndodhur ndonjëherë të përfshihet në dekret një lodër teknologjike, a ka ndodhur në tre dekada që në Kuvend, dita e parë e fillimit të legjislacionit të nisë me ndryshimin e rregullores pa konsensus.”
Nga ana e saj, deputetja Erisa Xhixho theksoi se nuk kishte pasur asnjë pengesë ndaj kryeministrit për të folur, por ndaj një ministreje që, sipas saj, është në shkelje të Kushtetutës:
“Kryeministri nuk u ndërpre në asnjë moment, por u ndërpre një ministër antikushtetues siç është ‘Diella’.”
Megjithë kundërshtitë dhe pretendimet e opozitës se procesverbali i seancës së kaluar nuk pasqyronte realitetin, ai u miratua vetëm me votat e mazhorancës. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cilësoi si ironike kërkesat e opozitës:
“Pasi dhunuan seancën, prishën solemnitetin e një prej seancave më të rëndësishme, vijnë pas një jave dhe duan të japin mendim. Prandaj zoti kryetar i Kuvendit, kemi kaluar sot me konsensus në konferencë të kryetarëve përbërjen e komisioneve dhe propozimet e grupeve parlamentare të opozitës dhe të deputetëve të pavarur, të kalojmë në votim përbërjen e komisioneve dhe të mos bëjmë hile me procedurën.“
Deputetët Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka munguan në seancë, pasi vijojnë të jenë të pezulluar për 10 ditë si masë disiplinore për sjelljen në seancën ku u votua kabineti i ri qeveritar.
Përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare
Komisionet nën drejtimin e Partisë Socialiste (PS):
• Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat: Kryetare Milva Ekonomi, Nënkryetar Erion Braçe
• Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike: Kryetar Ulsi Manja, Nënkryetar Damian Gjiknuri
• Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes: Kryetar Bledi Çuçi, Nënkryetare Olta Xhaçka
• Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm: Kryetare Anila Denaj, Nënkryetar Ceno Klosi
• Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural: Kryetar Blendi Klosi, Nënkryetar Fadil Nasufi
• Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme: Kryetar Igli Hasani, Nënkryetare Bora Muzhaqi
• Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale: Kryetar Fatmir Xhafaj, Nënkryetar Ermal Elezi
Komisionet nën drejtimin e Partisë Demokratike (PD):
• Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet: Kryetar Luçiano Boçi, Nënkryetare Evis Kushi (PS)
• Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale: Kryetar Bardh Spahia, Nënkryetar Eduard Shalsi (PS)
• Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik: Kryetare Jorida Tabaku, Nënkryetare Iris Luarasi (PS)
• Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën: Kryetare Ina Zhupa, Nënkryetar Erjon Malaj (PS)