Herën e fundit që dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë ishte për të parë tymin e bardhë që shpallnin zgjedhjen e Papës së ri, Leos XIV.

Por mbrëmjen e së shtunës, turma u rikthye për të përjetuar një spektakël të jashtëzakonshëm me rastin e Vitit Jubilar të Kishës Katolike: një shfaqje me dronë, e frymëzuar nga vepra e famshme e Mikelanxhelos “Krijimi i Adamit” në tavanin e Kapelës Sistine.

Shfaqja më e madhe me drone, 3 mijë të tillë, që është organizuar ndonjëherë në Europë, u realizua nga kompania Nova Sky Stories e Kimbal Musk, me lejen e Selisë së Shenjtë, e cila theu një traditë shumë shekullore për të lejuar këtë spektakël dritash të shoqërojë koncertin e parë ndonjëherë në Sheshin e Shën Pjetrit.

Koncerti u drejtua nga tenori i njohur Italian Andrea Bocelli dhe këngëtari amerikan Pharrell Ëilliams.

Ndërsa kori “Voices of Fire” solli frymën e muzikës Gospel, John Legend këndoi “Bridge Over Troubled Ëater” dhe Jennifer Hudson interpretoi një duet të fuqishëm me Bocellin, rreth 3,000 dronë u ngritën mbi kupolën e bazilikës për të rindërtuar me dritë momentin e famshëm ku Perëndia krijon Adamin, së bashku me versione të ndriçuara të “Pietas” dhe një portret të Papa Françeskut të ndjerë.

Mbrëmja u shoqërua nga fjalime frymëzuese për paqen dhe unitetin, të mbajtura nga klerikë, kardinalë, aktivistë si Graça Machel Mandela, si dhe vetë Pharrell Ëilliams. Kulmi i shfaqjes erdhi me formimin gjigant të fjalës “JOY” (Gëzim) në qiell, e krijuar nga dronët.

Puna për këtë spektakël me dronë që ndriçoi qiellin përgatitej prej 2 vitesh. Secili dron peshon rreth 340 gramë, por ka aftësinë të krijojë mbi 16 milionë ngjyra.

Kjo ide e veçantë lindi nga Kimbal Musk, vëllai i Elon Musk dhe CEO i Nova Sky Stories, i cili iu drejtua Selisë së Shenjtë që në fillim të vitit 2024, ndërsa Papa Françesku ishte ende gjallë, me propozimin për një shfaqje dritash.