Juventusi fitoi 4-3 kundër Interit në raundin e tretë të Serie A. Dueli prodhoi përmbysje dhe ripërmbysje, teksa protagonistë u bënë dy vëllezërit Thuram.
Dueli u zhbllokua nga Juvja pas vetëm 14-të minutave lojë me golin e Kelly, para se Calhanoglu në minutën e 30-të të vendoste ekuilibrat me një goditje nga jashtë zone. ‘Zonja’ u përgjigj me Yildiz në të 38-ën minutë me një supergol, duke e mbyllur në avantazhin 2-1 pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë Interi përmbysi ndeshjen me Calhanoglu dhe Marcus Thuram në minutat 65 dhe 76. Fundi i ndeshjes ishte dramatik dhe spektakolar për tifozët. Në minutën e 83 Juvja barazoi me Khephren Thuram, para se Adzic me një supergol në shtesën e parë t’i jepte tri pikë Juves dhe të kthente festën te ‘Zonja’.
Kjo ishte fitorja numër 111 për Juven në ‘Derbin e Italisë’ kundër Interit, kundrejt 70 fitoreve që kanë zikaltërit. Me këtë sukses Juvja ngjitet në krye të Serie A me nëntë pikë.