Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenco, ka konfirmuar zyrtarisht se ndërtesa e kabinetit qeveritar në Kiev është dëmtuar nga sulmi rus i mëngjesit të sotëm, hera e parë që ndërtesa goditet drejtpërdrejt që nga fillimi i luftës.
Svyrydenko, teksa ndau foto të ndërtesës së dëmtuar, kërkoi reagim ndërkombëtar.
“Mbrëmë, Rusia kreu një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës. Kievi, Krivyi Rih, Dnipro, Kremenchuk dhe Odesa u sulmuan. Për herë të parë, një ndërtesë qeveritare, çatia e saj dhe katet e sipërme u dëmtuan nga një sulm armik. Ekipet e shpëtimit po shuajnë flakët. I falënderoj për punën e tyre”, u shpreh ajo.
Kryeministrja ukrainase kërkoi edhe sanksione ndaj naftës dhe gazit rus, ndërsa përmendi nevojën për më shumë armë.
“Ndërtesat do të restaurohen, por jetët e humbura nuk mund të rikthehen. Armiku terrorizon dhe vret njerëzit tanë në të gjithë vendin çdo ditë. Bota duhet t’i përgjigjet këtij shkatërrimi jo vetëm me fjalë, por me vepra.
Sanksionet duhet të forcohen, veçanërisht kundër naftës dhe gazit rus. Nevojiten kufizime të reja ndaj makinës ushtarake të Kremlinit.
Dhe mbi të gjitha, Ukraina ka nevojë për armë. Kjo do ta ndalojë terrorin dhe do ta parandalojë Rusinë nga përpjekjet për të vrarë ukrainas çdo ditë”, theksoi Svyrydenko.