Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, që fillon të hënën (8 shtator), ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla, të cilët këtë vit do të punojnë me një udhëzues të ri, sipas standardeve të përditësuara, për të garantuar një klimë të qetë dhe të sigurt në shkolla.
Përmirësimi i protokolleve të punës është pjesë e Planit të Sigurisë në Shkolla, të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Në këtë kuadër, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, tha se është me rëndësi që të garantohet siguria e fëmijëve brenda dhe jashtë territorit të shkollës.
“Për ne është e rëndësishme që figura e oficerit të sigurisë në shkollë, e psikologut dhe e punonjësit social të fuqizohet edhe më shumë. Ne jemi duke punuar që, në kuadër të Planit të Veprimit për Sigurinë në shkolla dhe për përforcimin e mekanizmave parandalues ndaj çdo forme të dhunës dhe bullizmit në shkollë, të kemi mundësi të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë dhe të forcojmë mekanizmat ndihmës për këto njësi të rëndësishme që garantojnë mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës”.
Ministrja Manastirliu u ndal te përmirësimet e bëra në modulet dhe protokollet si dhe në mjetet digjitale të punës, duke theksuar rolin e platformës elektronike SMIP në dhënien e informacionit në kohë reale.
“Tashmë ne kemi disa dokumente të përmirësuara e të përditësuara, të cilat garantojnë që oficeri i sigurisë në shkollë, punonjësi social dhe psikologu të kenë më shumë instrumente ndihmës edhe për rastet që duhet t’i raportojnë në kohë reale. Kemi vënë në dispozicion edhe platformën elektronike SMIP për informacionin e shpejtë, për ta aksesuar në kohë reale, informacion i cili jo vetëm mbetet i gjurmueshëm në sistem, i aksesueshëm nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit kujdestar, por edhe në arkivën elektronike të shkollës. Plani individual i edukimit për nxënësit duhet të bazohet mbi eksperiencat dhe sjelljet e nxënësit brenda shkollës”.
Ministrja Manastirliu vuri në dukje edhe përforcimin e pranishmërisë së oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore dhe shtrirjen e shërbimit psiko-social në sistemin arsimor parauniversitar.
“Ju jeni kolonat që mbani sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë. Tashmë i kemi të gjitha instrumentet nga njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, tek mekanizmat koordinues kundër dhunës e bullizmit, deri te sistemet e informacionit digjital që janë në funksion të punës suaj dhe kontaktit të drejtpërdrejtë. Por ajo që është e rëndësishme, është që ne do të kemi më shumë oficerë sigurie në shkolla. Këtë vit të ri shkollor, do të kemi më shumë se 390 oficerë sigurie. Po punojmë fort, dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, së bashku me Akademinë e Sigurisë, po trajnojnë të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e oficerëve të sigurisë në shkolla. Menjëherë është hapur rekrutimi për fazën e parë, ku më shumë se 60 oficerë sigurie do të jenë në shkolla në datën 8 shtator, dhe pjesa tjetër brenda javës së parë të tetorit. Pra do të kemi rreth 400 oficerë sigurie në shkolla dhe do të vijojmë të rrisim numrin e oficerë e të sigurisë duke vijuar nga viti i ardhshëm 2026. Kemi sot dhe një përmirësim të raportit të punonjësve socialë dhe psikologëve për nxënësit”.
Duke folur për ndryshimet në modulet dhe protokollet e punës, Manastirliu nënvizoi nevojën për bashkëpunim të zgjeruar me komunitetin dhe institucionet mbështetëse.