Nga Zyra Ovale, Presidenti amerikan i është rikthyer deklaratës së tij se Ukraina ka shanse për të rifituar territorin e saj. Ai përsëriti zhgënjimin dhe pakënaqësitë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për luftën në Ukrainë.

“Po, ata kanë një shans, për shkak të Rusisë. Kam qenë duke parë mënyrën se si po vepron Rusia dhe çfarë ka bërë Rusia. Jam shumë i pakënaqur me atë që po bën Rusia dhe me atë që po bën Presidenti Putin. Ai po vret njerëz pa asnjë arsye. Kjo luftë duhet të kishte mbaruar. Nëse kjo do të ishte lufta jonë, do ta kishim mbaruar brenda një jave.”

Për sa i përket frontit tjetër të luftës, presidenti Trump tha se ka zhvilluar diskutime pozitive për Gazën, përfshirë edhe me kryeministrin izraelit, dhe beson se lufta do të përfundojë shumë shpejt.

Trump theksoi se nuk do ta lejojë Netanjahun të aneksojë Bregun Perëndimor.

“Patëm bisedime vërtet të mira mbi Gazën me të gjithë udhëheqësit më të lartë në Lindjen e Mesme dhe gjithashtu patëm një bisedë shumë të mirë me Netanjahun, duke u përpjekur të kthejmë pengjet dhe po përpiqemi t’i japim fund situatës në Gaza. Duam që pengjet të kthehen dhe duam të kemi paqe në atë rajon.”

Më herët, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se Trump kishte paraqitur një plan paqeje me 21 pika për Lindjen e Mesme gjatë një takimi me udhëheqësit e disa vendeve me shumicë myslimane në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Dy luftra ende të pazgjidhura, por Trumpit i pëlqen të vetëquhet “president i paqes”. Ai tha se do të marrë pjesë në takimin që do të zhvillohet me ushtarakët amerikanë nga e gjithë bota.

“Do të jem atje nëse më duan. Po shkojmë mirë me gjeneralët dhe admiralët. Mos harroni, unë jam presidenti i paqes. Është mirë të shkojmë mirë.”

Shefi i Pentagonit ka thirrur në takim të gjithë ushtarakët amerikanë nga e gjithë bota javën e ardhshme.