Ogerta Manastirliu, u propozua nga Kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së, më 11 shtator, si kandidate për kryetare të bashkisë së Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale, në përfundim të detyrës së saj si ministre e Arsimit dhe Sportit, Manastirliu falënderoi sot mësuesit, pedagogët dhe gjithë skuadrën e MAS për punën, përkushtimin dhe besimin e treguar gjatë dy viteve që punuan së bashku.

“Të shërbeja për arsimin dhe sportin, për fëmijët, të rinjtë, mësuesit, pedagogët dhe sportistët tanë, për mua ka qenë një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe, një angazhim që do të vijojë pa ndalur në shërbim të qytetarëve tanë. Çdo reformë që kemi nisur në arsimin parauniversitar – nga modernizimi i kornizës kurrikulare, programi i zhvillimit profesional të mësuesve, rolet e reja të tyre për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, deri tek mekanizmat për zbulimin dhe orientimin e talenteve të nxënësve – janë themele për një arsim më të fortë”, tha Manastirliu.

Manastirliu thekson se “sistemet digjitale që po fuqizojnë komunikimin mësues–prind–nxënës, zbatimi i planit të sigurisë në shkolla me oficerë sigurie, punonjës socialë, psikologë e mësues ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe, si dhe çdo investim në infrastrukturën arsimore, laboratorët inteligjentë për rritjen e aftësive digjitale, laboratorët e shkencave, programi “Art & Zeje” apo nxitja e frymës sportive përmes ekipeve në shkolla, si dhe mbështetja e federatave sportive, sportistëve elitarë, infrastrukturës në sport, janë garanci për rezultate edhe më domethënëse në arsim dhe sport”.

“Arsimi i lartë sot po ecën edhe më shpejt drejt ndërkombëtarizimit. Zgjerimi dhe diversifikimi i ofertës akademike me kampuse të reja si Kolegji i Evropës, UNED në Gjirokastër, Universiteti i Compiègne në UPT me dy programe të reja studimi, apo reforma transformuese mes UBT dhe BOKU, po hapin horizonte të reja. Aleancat strategjike të universiteteve, pjesëmarrja gjithnjë e më e gjerë në Erasmus+ dhe Horizont Europa, zgjerimi i financimeve për kërkimin shkencor, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale, si dhe mundësitë e reja që vijnë me kuadrin e ri ligjor për shkencën, janë hapa të sigurt për universitete që nxisin inovacionin, të lidhura me tregun e punës dhe me synimin tonë për të tërhequr më shumë studentë vendas e të huaj. Ky është një nivel i ri për arsimin e lartë në vend, në përputhje me aspiratat tona europiane”, nënvizoi Manastirliu.

Manastirliu i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Rama për besimin e dhënë në kryerjen e kësaj detyre, të cilën, theksoi ajo, “e kam konsideruar si një mision në shërbim të brezit të ri dhe të ardhmes sonë europiane”.

“I uroj suksese Mirelës dhe gjithë ekipit të arsimit, në rrugëtimin e përbashkët drejt Shqipërisë 2030 në BE”, tha Manastirliu.