Kryeqyteti shqiptar është bërë këtë javë mikpritës i drejtuesve më të lartë të futbollit europian, me mbërritjen e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, në prag të mbledhjes të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Čeferin u prit pasditen e së mërkurës në aeroportin e Rinasit nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ndau edhe emocionet e tij për këtë moment në rrjetet sociale.

“Sot pata kënaqësinë të pres në Tiranë mikun tim, Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili mbërriti në Tiranë me rastin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Një moment historik për futbollin shqiptar dhe një tjetër dëshmi e vlerësimit të UEFA-s ndaj vendit tonë. Mirë se erdhe në Tiranë, z. Čeferin!”, shkruan Duka.

Mbledhja zyrtare e Komitetit Ekzekutiv do të zhvillohet ditën e enjte, nga ora 14:00 deri në 17:00, ku priten diskutime për çështje kyçe të zhvillimeve futbollistike në kontinent.

Përpara mbledhjes, një tjetër aktivitet do të sjellë në qendër të vëmendjes fëmijët dhe të ardhmen e futbollit, Presidenti Čeferin, Presidenti Duka dhe anëtarët e tjerë të Komitetit, së bashku me përfaqësues të federatave europiane, do të marrin pjesë në një festival futbolli për fëmijë, që do të zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.