Ulsi Manja ditën i sotme i ka dorëzuar zyrtarisht Besfort Lamallarit detyrën e ministrit të Drejtësisë.
Ai falenderoi kryeministri Edi Rama dhe i tha ministri të ri, se është në dispozicionin e tij nëse Lamallarit do t’i duhet ndonjë këshillë.
Statusi i plotë:
Sot përfundon zyrtarisht mandati im si Ministër i Drejtësisë. Katër vite intensive në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete – me sfida të mëdha dhe përvoja të vyera. Falenderoj veçanërisht Kryeministrin për besimin dhe mbështetjen, dje si Ministër dhe sot si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend.
Stafetën e Ministrit të Drejtësisë e merr miku im Besfort Lamallari, një kontributor i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Jam i bindur se ai do ta çojë më tej punën e nisur dhe do të ngrejë në një stad të ri arritjet tona, ku “qershia mbi tortë” mbetet hapja e negociatave për grupkapitujt themelorë.
Jam thellësisht mirënjohës stafit të përkushtuar të Ministrisë së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë. Nga sot, kontributin tim do ta jap nga një këndvështrim tjetër – si Kryetar i Komisionit të Ligjeve – në kodifikimin dhe përputhjen e legjislacionit tonë me atë të BE-së.
Postet ndryshojnë, por kauza mbetet e njëjtë: Shqipëria 2030 në BE! 🇦🇱🇪🇺