SPAK deklaron se nuk ka marrë asnjë kërkesë për leje të veçantë nga Erion Veliaj apo avokatët e tij, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që do të mbahet të martën, më 23 shtator, ku pritet të shqyrtohet dhe votohet shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të bashkisë.
Euronews Albania iu drejtua Prokurorisë së Posaçme për të verifikuar nëse Veliaj, aktualisht nën masë sigurie, ka kërkuar të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet në këtë mbledhje vendimtare për fatin e tij politik.
Në kërkesën zyrtare drejtuar SPAK, Euronews Albania pyeti gjithashtu nëse një kërkesë e tillë i është përcjellë prokurorëve të çështjes nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në përgjigjen zyrtare të SPAK thuhet:
“Në përgjigje të kërkesës suaj të mbërritur më datë 22.09.2025, ju informojmë se deri tani, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është paraqitur asnjë kërkesë e tillë.”
Ndërkohë, mbledhja e së martës pritet të jetë një moment kyç për administratën vendore të Tiranës, ndërsa mbetet e paqartë nëse Veliaj do të kërkojë të paraqitet fizikisht apo nëpërmjet një lidhjeje elektronike./Euronews