Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar këtë të enjte renditjen e 6 kandidatëve të mbetur në garë për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, njëri prej të cilëve do të zëvendësojë Holta Zaçajn.
I pari, me 89.5 pikë është renditur Asim Vokshi, ndjekur nga Naureda Llagami (89.3 pikë), Florian Ballhysa (77.83 pikë), Alma Faskaj (77.77 pikë), Genta Tafa Bungo (75.44 pikë) dhe Alban Toro (74.22 pikë).
KED do të miratojë edhe raportin për procedurën e ndjekur për verifikimin, vlerësimin dhe pikëzimit për secilin kandidat, dhe më pas do t’ia dërgojë listën me emrat Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, si organi emërtues, do të zgjedhë mes tre emrave Vokshi, Llagami dhe Ballhysa që kanë marrë më shumë pikë për anëtarin e ri.
Në total 13 kandidatë shprehën interes për vendin vakant në Kushtuese, ndërsa Denar Biba u tërhoq nga gara në fillim të shtatorit.
Mandati i Holta Zaçajt shkaktoi përplasje publike mes asaj personalisht dhe Gjykatës së Lartë. Zaçaj nguli këmbë se do të ikte në fund të vitit 2025, ndërsa Gjykata e Lartë, kërkoi që të largohej në mars të këtij viti.
Njoftimi i KED:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të procedurave të vlerësimit të kandidaturave për të cilët është vendosur lejimi për konkurimin në vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, në zbatim të dispozitave ligjore, pas shqyrtimit të gjithanshëm të dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga ky Këshill si dhe komunikimit me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturave, bën publike rezultatin e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve, sipas kësaj renditje:
1) Asim Vokshi 89.5 pikë;
2) Naureda Llagami 89.3 pikë;
3) Florian Ballhysa 77.83 pikë;
4) Alma Faskaj 77.77 pikë;
5) Genta Tafa (Bungo) 75.44 pikë;
6) Alban Toro 74.22 pikë.
Në zbatim të nenit 239 të ligjit nr. 115/2016 dhe Vendimit nr. 5 datë 02.04.2019 “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, KED do të miratojë edhe Raportin e arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes përfundimtare të tyre, me qëllim dërgimin e tij më pas te organi i emërtesës, Gjykata e Lartë.