Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, një nismë që synon krijimin e një sistemi të ri kombëtar për përpunimin dhe trajtimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë.
Ligji, i hartuar pas një pune dyvjeçare, parashikon ngritjen e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, duke e zhvendosur përgjegjësinë nga pushteti vendor tek një strukturë qendrore, ndërsa bashkitë do të kenë rolin e “klientëve” të këtij sistemi.
Sipas planit, Shqipëria do të ndahet në 10 zona të menaxhimit të integruar, ku do të ndërtohen 10 impiante për përpunim dhe selektim të mbetjeve. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i 3 landfilleve të reja në Kukës, Dibër dhe Berat, si dhe mbyllja e 66 venddepozitimeve ekzistuese që konsiderohen të papërshtatshme.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me përfaqësues të pushtetit vendor më 28 gusht, e cilësoi këtë reformë si një “sprovë për integrimin europian”, duke theksuar se menaxhimi modern i mbetjeve është një nga sfidat kyçe për përmbushjen e standardeve të BE-së.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi edhe marrëveshjen ndryshuese me Bankën Botërore, përmes shkëmbimit të letrave, për financimin shtesë të projektit të zhvillimit të integruar urban dhe turizmit, i cili ishte ratifikuar më herët me ligjin nr. 70/2022. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.