Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë është formuar kundër Serbisë.

Deklaratat u bënë pas pjesëmarrjes së tij në paradën ushtarake të mbajtur në Pekin, me rastin e përkujtimit të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Vuçiç theksoi se Serbia po shqyrton mundësinë e blerjes së avionëve shumëfunksionalë dhe helikopterëve modernë nga Kina për të siguruar ushtrinë serbe me një fuqi parandaluese kundër çdo sulmi të mundshëm nga vendet fqinje.

“Kosova, Kroacia dhe Shqipëria nuk formuan rastësisht një aleancë ushtarake. Ato nuk e krijuan këtë aleancë kundër Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por kundër Serbisë. Serbia nuk do të prekë askënd, por do të forcojë ushtrinë e saj për të mbrojtur integritetin e saj territorial,” tha Vuçiç.

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan më 18 mars një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, një hap që sipas propagandës serbe të drejtuar nga Vuçiç, po rrit tensionet në rajon.