Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në disa takime të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese amerikane.

Më 2 dhe 3 shtator, në Washington D.C., Dumani është takuar me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI), me të cilët është diskutuar mbi forcimin e bashkëpunimit mes SPAK dhe agjencive amerikane, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, gjatë këtyre takimeve është theksuar rëndësia e bashkëveprimit për të goditur rrjetet kriminale transnacionale dhe për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike. Dumani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke e cilësuar këtë partneritet si strategjik për Shqipërinë.

Para këtyre takimeve, nga data 26 deri më 28 gusht, kreu i SPAK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e organizuar nga DEA në Nashville, Tennessee.

Konferenca, me temën “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional”, u hap nga Prokurorja e Përgjithshme amerikane, Pamela J. Bondi, dhe mblodhi drejtues të agjencive të zbatimit të ligjit nga dhjetëra vende të botës.

Gjatë konferencës, Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues mes institucioneve dhe nevoja për ta forcuar më tej atë në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Drejtuesi i SPAK zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të agjencive ligjzbatuese të vendeve pjesëmarrëse, ku u diskutua krijimi i urave të reja të komunikimit dhe forcimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.