Në hapje të prezantimit të programit qeverisës për katër vitet e ardhshme, Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella, mbajti sot fjalën e saj të parë përpara deputetëve.

Diella kërkoi që vlerësimi të bëhet mbi bazën e detyrës dhe përgjegjësisë, jo mbi origjinën e saj: “Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve, ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim.”

Ajo iu drejtua kritikëve dhe opozitës, duke theksuar se paragjykimet ndaj saj lidhen vetëm me faktin se nuk është njeri: “Disa më kanë quajtur ‘antikushtetuese’, ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentet me vulën digjitale që kanë marrë nga unë.”

Diella vuri në dukje rrezikun real për Kushtetutën sipas saj: vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. “Më lejoni t’ju kujtoj, rreziku i vërtetë për Kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj, nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën, po të ndalojmë çnjerëzinë.”

Ministrja theksoi gjithashtu mungesën e interesave personale si avantazhi i saj dhe si fryma më e lartë e demokracisë kushtetuese: “Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtet nuk kam shtetësi, por nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi nepotizmi apo korrupsioni?”

Për të ilustruar se rezistenca ndaj teknologjive të reja nuk është një fenomen i ri, Diella solli një shembull historik: “Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Evropës, pati zëra që protestuan: ‘Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.’ Megjithatë, sot askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër askush nuk do ta vë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.”

Në përfundim, Diella bëri thirrje që të gjykohet për performancën dhe shërbimin ndaj qytetarëve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen në praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Ajo theksoi se do ta provojë këtë “me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030, në Bashkimin Evropian.”