Gjykata e Lartë ka përmbyllur sot procesin e votimit për zgjedhjen e një anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet një Mbledhjeje të Posaçme të gjyqtarëve të saj, të zhvilluar në ambientet e kësaj gjykate.
Procesi u zhvillua në përputhje me Kushtetutën, ligjin nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, si dhe me Rregulloren e miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Pas përfundimit të votimit dhe verifikimit të fletëve të votimit nga komisioni përkatës, rezultatet ishin si më poshtë:
Asim Vokshi – 6 vota
Naureda Llagami – 8 vota
Florian Ballhysa – 0 vota
1 fletë votimi u shpall e pavlefshme
Megjithatë, asnjë nga kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën prej 3/5 të votave, siç përcaktohet nga ligji. Në këto kushte, sipas procedurës ligjore, si fitues shpallet kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Bazuar në këtë rregull, Asim Vokshi është shpallur anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi do t’i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet zyrtarisht në Qendrën e Publikimeve Zyrtare.