Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvillon mbledhjen live për të votuar të vetmen pikë të rendit të ditës, atë të shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Vetë Erion Veliaj nuk është i pranishëm në këtë mbledhje për të dhënë argumentet dhe për t’u dëgjuar nga këshilli.

Komisioni i Çështjeve Ligjore i Këshillit Bashkiak të Tiranës vendosi sot që të refuzojë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për të marrë pjesë në mbledhjen ku do të vendoset për shkarkimin e tij.

Vendimi që Veliaj të mos dëgjohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u mor edhe me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste, të cilët edhe kanë propozuar shkarkimin e tij nga detyra.

Një ditë më parë, kryebashkiaku Veliaj kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhje për të dhënë shpjegimet e tij.

Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës ka futur në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak kërkesën e socialistëve për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. Ligjet miratuan propozimin e socialistëve, dhe ky projektvendim, do t’i përcillet Këshillit Bashkiak, i cili pritet të mblidhet sot në orën 16:00 për të vendosur nëse do të miratojnë shkarkimin ose jo.

Ndërkohë, Sekretari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Behar Zeneli, në një letër kthim-përgjigje dërguar sot Veliajt, thotë se nuk ka asnjë vendim që pengon prezencën e kryebashkiakut në mbledhje.

Nëse nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, thotë ai, të dërgojë një letër me shkrim që të mund të lexohet.

Burime për gazetaren e Report TV, Danjela Maloku kanë bërë me dije se pavarësisht rezervave që kanë shprehur këshilltarët demokratë, ata kanë bashkuar votat me socialistët për të kaluar projektvendimin drejt Këshillit Bashkiak. I vetmi që nuk ka votuar ka qenë këshilltari i Bindjes Demokratike, Fabian Topollari.

Këshilltarët demokrate pretendojnë se kërkesa për shkarkim është artikuluar nga ata që tre muaj nga arrestimi i Veliajt, por Endrit Braimllari nga radhët e PS, u kundërpërgjigj se tashmë janë pjekur kushtet politike ku bashkia duhet të shkojë në zgjedhje.

Pas mbledhjes të Komisionit të Ligjeve, Dorian Teliti theksoi edhe njëherë qëndrimin e PD-së se do të bashkojnë votat me PS për të miratuar shkarkimin, por shtoi se Veliaj duhet të dëgjohet në sallë. Nga ana tjetër, Endri Shabani argumentoi se nuk ka asnjë arsye pse duhet që të lejohet kryebashkiaku të jetë prezent.

“Ne kërkuam që e drejta, edhe një e të burg të përjetë të dëgjohet, jo më e kryetarit. Fakti që PS insistoi të mos dëgjohet, do jetë nesër një instrument ligjor e Veliajt për të fituar gjyqin. Është e drejta ligjore që të dëgjohet, siç është e drejta jonë t’ia themi në fryrë korrupsionin e tij, s’duam t’ia themi me korrespondenca mediatike, por t’ia themi aty në sallë. “, tha Teliti.

Të premten, Veliaj i dërgoi një letër Këshillit Bashkiak duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli iu përgjigj se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim. Veliaj replikoi duke i kujtuar se Sekretari nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial, pasi kompetencat e tij janë vetëm administrative.

Sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi. Ai thekson se nuk i është garantuar e drejta për t’u dëgjuar, ndërsa shtoi se prania e tij në sallë duhej të vendosej nga Këshilli Bashkiak, edhe pa kërkesën e tij. Për këtë arsye, Veliaj i kërkoi Këshillit që të shprehet me votë për pjesëmarrjen e tij.

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.

Çfarë ndodh pasi Këshilli Bashkiak të votojë shkarkimin?

Vendimi për propozimin e shkarkimit duhet të marrë të paktën 31 vota pro nga 61 këshilltarët. Pas kësaj, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës, ndërsa qeveria merr vendimin final për shkarkim. Megjithatë, kjo nuk do të ishte fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës i jep të drejtë kryebashkiakut të ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh. Në këtë rast, vendimi i qeverisë pezullohet deri në shqyrtimin nga Gjykata. Edhe vetë Veliaj, në letrën e tij drejtuar Këshillit Bashkiak, linte të hapur mundësinë e ankimimit, duke e konsideruar shkarkimin një akt të pajustifikuar dhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë, si edhe theksonte se do ta mbrojë deri në fund kontratën e tij 4-vjeçare me qytetarët e Tiranës.

Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.