Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë sekuestruar të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të dy klinikave International Medicare shpk e Sante Plus. Vendimi për sekuestron e pasurive, vlera e të cilave ende nuk dihet, u mor pas një operacioni nga Krimi Ekonomik në Tiranë që zbuloi se klinika estetike, që operonte në qendër të Tiranës, prej më shumë se një viti ka funksionuar në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme, duke i shkaktuar shtetit evazion mbi 1 milion euro dhe duke rrezikuar shëndetin e dhjetëra pacientëve.
Indicia për nisjen e hetimit erdhi pas denoncimit të një burri nga Portugalia, që erdhi në Tiranë në muajin prill 2024 për të kryer 3 ndërhyrje estetike në klinikën “International Medicare Hospital” pjesë e rrjetit Sante Plus. Pas një takimi në spital, portugezi Carlos Santos vendosi të bënte 3 shërbime, transplant flokësh në vlerë 980 euro, rregullim të qepallave të syve me 2200 euro dhe kirurgji për korrigjim të gushës për 2000 euro.
Shumat e parave i pagoi në 3 periudha të ndryshme, në tetor, nëntor dhe dhjetor 2024 zonjës me emrin Xhuana Liko, që sipas tij iu prezantua si drejtoresha e spitalit, para që i ka dhënë CASH dhe pa marrë kupon tatimor, përveç një mandati dore. Të gjitha këto Santos ia tha policisë në kallëzimin që bëri pasi kuptoi se mund të ishte para një mashtrimi.
Ditën që bëri pagesën e tretë portugezi priste të operohej por i është thënë se kjo ishte e pamundur pasi mjeku Aron që do të kryente ndërhyrjen, do largohej për në Turqi. Ndërhyrjet që kishte kërkuar i ishin shmangur 3 herë nga spitali , me justifikimet se mjekët ndodhen në Turqi dhe kështu portugezi iu drejtua autoriteteve dhe operacioni çoi në bllokimin e plotë të aktivitetit të klinikës, arrestimin e administratorit Edmond Zaja, dhe shpalljen në kërkim të dy bashkë-aksionerëve, Bilal Kara, shtetas turk dhe Geriana Arapi.
“Hetimet mbi procedimin penal nr.5022, viti 2024, për veprat penale të parashikuar nga nenet 143/2, 179/3 dhe 180/3 të K. Penal, të kryera në bashkëpunim Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, nisën pas denoncimit të një shtetasi portugez, C.S. ndaj subjektit International Medicare shpk (ish Sante Plus Group).
Ky shtetas pagoi një shumë prej 5200 eurosh për marrjen e tre shërbimeve nga ky spital por doktorët që do të kryenin ndërhyrjet u larguan nga spitali. Pas disa anulimeve, ai kërkoi kthimin e shumës së parave por pa sukses. Kallëzuesi deklaroi se u mashtrua nga ky spital pasi i morën paratë dhe nuk i ofruan shërbimin duke përdorur justifikime të ndryshme”, njofton Prokuroria e Tiranës.
Në ambientet e klinikës, hetuesit gjetën 100 blloqe me fatura të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të ndaluara, të skaduara dhe kontrabandë, të përdorura për ndërhyrje estetike si botox, fillera e madje edhe për mbjellje flokësh. Pagesat për pacientët kryheshin në cash, pa fatura, ndërsa punonjësit paguheshin në dorë e pa sigurime. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në vendin tonë.
“Nisur nga faktet e parashtruara në kallëzimin e shtetasit C.S. dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë. U mbajt procesverbal për kqyrjen e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u fiksuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja dhe lejohen për përdorim vetëm në spitale private.
Në funksion të hetimit të procedimit penal, u administrua akti i kontrollit i mbajtur nga organet tatimore dhe rezultoi se subjekti ”Sante Plus” ka detyrime të lindura për mosdeklarim të pagës reale. Ky subjekt ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të punonjësve, si rrejedhim ka fshehur vlerën e saktë të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Kontrolli tatimor ka vlerësuar si tatim të padeklaruar nga shoqëria me efekt në TVSH shumën 12.826.573 Lekë. Po nga i njëjti kontroll rezultoi se ky subjekt duhet të lëshonte autofaturë për 11 fatura me vlerë 112.736.764 lekë, me një tatim të padeklaruar të TVSH në vlerën 22.547.353 lekë. Sipas këtij akti, subjektit ”Sante Plus” i kanë lindur detyrimet tatimore nga fshehja dhe mosdeklarimi i pagave për vitet 2018-2023 në vlerën 4.510.786 lekë, si dhe për tatim të padeklaruar me efekt TVSH-je në vlerën 35.373.926 lekë.
Po kështu, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se nga ana e subjektit International Medicare shpk, është vepruar në kundërshtim me ligjin duke fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, nëpërmjet mosdeklarimit të këtyre të ardhurave në organet tatimore në sistemet përkatëse fiskale, por duke i marë këto të ardhura me mandate arkëtimi jo fiskale.
Në këto kushte ka të dhëna te mjaftueshme se nga ana e personave nën hetim dhe e subjektit International Medicare, janë fshehur të ardhurat ne vlera te konsiderueshme duke bërë që për këto të ardhura të mos kryhen pagesat në favor të buxhetit të shtetit, duke i sjelle dëm të madh ekonomik interesave të shtetit shqiptar”, thuhet në njoftim.
Njëri prej aksionerëve kryesorë, Bilal Kara, nuk është emër i panjohur. Ai rezulton të jetë Konsull Nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir, kryetar i Këshillit të Biznesit Turqi-Maqedoni e Veriut në DEIK, si dhe anëtar i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Turqi.
Një tjetër skandal u zbulua gjatë hetimeve. Administratori Edmond Zaja ishte punësuar në vitin 2023 në klinikë si kuzhinier, dhe 1 vit më vonë pronari, sipas tij, ia kishte kërkuar si nder që të regjistrohej si administrator, por që të vijonte të kryente punën në kuzhinë, e gjitha sipas tij në mirëbesim.




















