Në Komisionin e Ligjeve, këtë të martë ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari gjatë raportimit vjetor u pyet nga PD mbi masën e paraburgimit. PD ngriti shqetësimin për mënyrën si përdoret masa e paraburgimit në Shqipëri.
Deputeti Oerd Bylykbashi kërkoi që qeveria të ndryshojë qasjen ndaj kësaj mase sigurie, duke e konsideruar atë shpesh të tepruar dhe abuzive.
Në përgjigje, ministri Lamallari pranoi se problemi është real dhe theksoi se paraburgimi duhet të mbetet një masë e jashtëzakonshme.
“Një nga padrejtësitë më të mëdha është që të shpenzosh kohë në paraburgim më shumë se koha që gjykata vendos në vendim përfundimtar”, u shpreh ai.
Lamallari nënvizoi se burgu duhet të konsiderohet si mjeti i fundit dhe vetëm kur plotësohen kushtet e rrezikshmërisë, ndërsa theksoi rëndësinë e rolit të partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces.