Protesta gjithëkombëtare e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të mbahet këtë të premte në Tiranë, po merr gjithnjë e më shumë mbështetje publike.

Endriti Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në rrjetet sociale, duke shpërndarë thirrjen për pjesëmarrje në protestë.

“A jeni gati?”, shkruan ai në një postim në Instagram, teksa nxit qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare t’i bashkohen tubimit që kërkon drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Një qëndrim të qartë dhe të vendosur kanë shprehur edhe “Dardanët”, grupi i tifozëve të përfaqësueses së Kosovës. Në një deklaratë publike, ata theksojnë se protesta e 17 tetorit është një thirrje për drejtësi, jo vetëm për ish-krerët e UÇK-së, por edhe për të gjithë ata që luftuan për liri.

“Duam drejtësi dhe jo barazi farse me kriminelët shovinistë serbë. Të bashkuar në emër të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, përçojmë një mesazh të fuqishëm nga kryeqyteti shqiptar se UÇK-ja nuk kreu krime lufte. Adresa e krimeve është vetëm Beogradi famëkeq,” thuhet në reagimin e tyre.

Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, në orën 17:00 të pasdites. Të pranishëm në tubim do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-presidenti Alfred Moisiu, si dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti.

Organizatorët presin pjesëmarrje masive nga të gjitha trojet shqiptare, në një akt solidariteti për ata që konsiderohen figura kyçe të luftës për çlirim të Kosovës.