Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja ka humbur jetën dje në sallën e gjyqit, pasi është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga një person që ishte palë në proces. Astrit Kalaja ishte nga Shkodra dhe me reformën gjyqësore, ishte transferuar nga Apeli i atjeshëm, në Tiranë.

Edhe palët që ishin në gjyq dhe dje do të njiheshin me vendimin, ishin nga Shkodra dhe prej vitesh kërkonin të drejtat për një sipërfaqe në lagjen “Skënderbeg”.

Gazetarja Anila Hoxha ka publikuar sot dy poezi/refleksione të gjyqtarit Astrit Kalaja, të cilat janë shkruar një vit më parë. Ajo thotë se ai nuk ishte vetëm magjistrat, por ndante shpesh me miqtë edhe vargjet që shkruante.

“Këto mesazhe janë të ditëve të fundit, njëri është i datës 20 shtator, pak ditë mbasi ishte bërë gjysh”, shkruan gazetarja Anila Hoxha, teksa publikon dy poezitë/refleksionet e mëposhtme:

Poezitë e Astrit Kalasë:

1- Jam bërë gjysh. Pas 14 ditesh bëra bisedën e parë me nipçen.

E thirra shoku.

Po qante.

Duke i folur e ledhatova tek koka, i fërkova gjoksin e barkun.

I thashë se je shumë i bukur. I thoja se e doja fort. i uroja qe ti dhuronin dashuri, të ishte i lumtur me babin e mamin.

Me fjalët e mia, me përkedheljet e mia, si dhe në tingujt e serenatave shkodrane e zuri gjumi.

Ishte shume bukur. Ndjeva nje lloj çlirimi shpirtëror.

Nuk do ta harroj kurrë. Falenderoj Zotin qe me dhuroi këte moment te paqtë.

Mu duk se zeri im i dha qetesi, siguri!

Mesazhi tjetër për Shkodrën, vendlindjen!

2- Për ty Shkoder shpirti jem !

Për mu Shkodër je flladi i lirisë, flladi i nderit e i krenarisë

Jam shkodran, jam i lashtë sa vete Shkodra, jam i lirë si Shkodra, jam human si Shkodra, jam i gjerë si Shkodra, di te fal e te dhuroj besim e shpresë si Shkodra.

Ne fakt cdo dite luftoj jem kështu

Këto fjale janë për Shkodrën, janë fjalë zemre.

Kujt mos ti pëlqejnë nuk ka gjë.

Unë nuk i kam shkruar për to.

I kam shkruar për ato qe e duan Shkodrën.