Nga Ylli Pata
Debati pa mbarim nëse Florian Binaj është një kandidat i pavarur, apo një kandidat i Berishës ka ngrënë e do hajë kohë e diskutime, megjithatë nuk se ky diskutim do të sjellë ndonjë përfundim në fund.
Pasi, Binaj edhe pse ende nuk është zyrtarisht i regjistruar, po propogandohet dhe spin-ohet nga enturazhi më klasik i PR të doktorit. Dalja në fushë e Fahri Balliut, që e ka krahasuar kandidatin e “pavarur” që mbështet PD-ja me Donald Trumpin dhe Arnold Schwarzenegger, tregon mjaft.
Së pari atë që deri tani dalja e pavarur e një kandidati të pavarur nga PD, nuk po pritet apo nuk po ngjit si duhet nga ato qarqe apo grupe interesi që PD ka apo ka pasur në kryeqytet. Sepse në realitet, përveç një mbështetje nga Agron Shehaj e Adriatik Lapaj, që janë pjesë të opozitës së dalë nga PD, ende nuk janë shprehur personazhet të njohura me ndikim në atë që e quajnë “populli opozitar” apo “demokratët”.
Nëse gjërat shikohen ftohtë dhe nga jashtë, realisht kandidatura e Binajt ka prishur një klishe të krijuar për PD-në që në Tiranë sjell një personazh ose direkt ose indirekt nga Tropoja apo veriu. Por sot nuk jemi në atë fazë, edhe sikur të jetë nga fshati i Sali Berishës. Madje siç del nga dialogjet virale të prera në reels-at e reality show, personazhet që vijnë nga veriu nuk e kanë më atë klishe të viteve 90. Shqipëria dhe brezat kanë ndryshuar aq shumë sa politika nuk e kap dot tempin e logjikës së mendimit të saj. Pasi siç edhe e kemi parë, mendon sipas mides së saj.
Megjithatë një gjë ka mbetur e palëvizshme, fiksimi apo kompleksi i Sali Berishës për të treguar se nuk do të jetë aktiv në fushatën e Tiranës. Një kompleks që e ka treguar që nga kanidimi i Besnik Mustafajt kundë edi Ramës në 2000-shin, tek Ngjela në 2003-shin, te Basha në 2011 e kështu me radhë.
Madje edhe Florjan Binaj e tha, sipas gjasave me një mirëkuptim të PR qendror se do të bëjë fushatë pa Sali Berishën.
Gjë që nuk shkon, pasi nëse e mbështet opozita ‘kandidatin e pavarur”, i pari që vendos është Sali Berisha. Sado që ai të mos dalë në dritare apo në takime, gjithsesi fryma, strategjia dhe taktika opozitare hartohet nga zyra e tij.
Gjë që është edhe normale, pasi sot Sali Berisha është një politikan që ka hyrë në luftë me perëndimin, duke nisur nga SHBA, Britania e Madhe e vendet e BE, prokurorët e gjyqtarët, me opinionin publik që i jep notënegative pa pushim, megjithatë “shoqëria civile” opozitare nuk e quan problem. E këtu, ka shumë nuance, disa thonë që është pak, disa të tjerë lodhen për të gjetur shembuj krahasimorë, e të tjerë përgjigjen e kanë në majë të gjuhës: e duan demokratët! Gjë që relativisht është e vërtetë, megjithëse jo plotësisht. Kjo të ha debat e kërkon një elaborim, megjithatë doktori nuk është i refuzuar brenda popullit të tij. Tek e fundit edhe Enver Hoxha është jo vetëm i pa refuzuar brenda elektoratit të majtë, por nuk reshtin tezat dhe diskutimet për “gjërat e mira” por edhe “gabimet” e komandantit.
Në realitet ne jemi në këtë fazë, sidomos pas 2008, kur debatin politik e sjellin strofkullat propagandistike të “liderëve që bëjnë ndonjëherë gabime, se helbete njerëz janë”. Dhe këtë fakt e dijnë të gjithë, madje elektorati është shumë i qartë në të gjithë verdiktet që jep votim pas votimi. Atëherë përse Berisha i fshihet Tiranës? Pikërisht këtu fshihet lepuri! Pasi Berisha, duke u mënjanuar vetë kërkon, ose më mirë urdhëron që nëse ai ka vendosur të mos hyjë në fushë, njëjtë duhet ta bëjë kushdo tjetër. Ndaj edhe askush brenda “popullit demokrat” nuk po prononcohet. Fundja ç’i duhet, a kemi një kandidat të “pavarur”? Të rrijë i tillë!