Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, përbën një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Vrasja brenda mureve të tempullit të drejtësisë, ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik. Ndërsa, siguria dhe autoriteti i institucioneve të drejtësisë është vënë tashmë në pikëpyetje.

Reagime të shumta janë publikuar menjëherë pas ngjarjes nga zyrtarë, politikanë dhe institucione të drejtësisë, ndërsa rrjeti ‘vendi ku mblidhen’ qytetarët, ka shpërthyer nga komentet. Nëse keni ndalur të lexoni komentet në rrjetet sociale, me siguri iu ka rënë në sy një prirje e fortë e njerëzve për të komentuar negatisht. Për autorin që kreu krimin? Jo, shumë të rralla. Në fakt, figura e autorit po trajtohet mes komentuesve ‘si një hero’, diku si dikush që vuri drejtësi, ndërsa komentet negative i adresoheshin drejtësisë, sistemit, tek i cili aq pak duket se besojnë.

Ky është një rast, por jo i vetmi! Komentet pas çdo ngjarje të rëndë, të tilla që mbeshtesin ‘autorët’ e krimit (çfarëdo qoftë) është kthyer në një fenomen. Por çfarë fshihet pas këtij fenomeni? A janë vërtet njerëzit kaq kritikë ndaj të tjerëve, apo pas çdo fjalie të hidhur fshihet një plagë personale? Mesa duket, punët me drejtësinë, të gjithë i shikojnë nga i njëjti këndvështrim.

Le të kthehemi sërish te ngjarja e momentit, për të cilën po zien rrjeti. Komentet e kapura nën ‘lupën’ e ZËRI, tregojnë qartë që opinioni i qytetarëve për rastin, jo vetëm që nuk është i ndarë në dysh, por anojnë të gjithë në një anë. Një çështje pronësie që shërbeu si ‘mollë e sherrit’, nga komentuesit interpretohet si padrejtësi nga ana e institucioneve që kanë vërdallisur prej vitesh familjet e përfshira.

“Ky duhet të deklarohet i pafajshëm, si Avni Rustemi që deklaroi në Paris, e vrava në emër të popullit”, shkruan një komentues.

Komentet vijojnë edhe me ‘duartrokitje’, ka nga ato që i thonë ‘të lumtë’. I tillë është ky komenti: “Zoti gjykatës në emër të popullit, je i pushkatuar, rroft Shqipëria, rroft populli shqiptar, të bekoftë zoti mor djal”.

“Gjyqtarët janë kanë sjellë shpirtin në majë të hundës këtij populli, bravo”, është një tjetër koment që mbështet haptas veprimin e autorit.

“Qoftë halla gjini nanës ty respect”, shkruan një tjetër.

Komentet poshtë një video ku shfaqet xhaxhai i autorit, i cili një vit më parë fliste se prona ‘e konfliktit’ i përkiste atij me dokumeneta, janë akoma dhe më të habitshme. Në mbështetje të plotë të deklaratës së tij, komentuesit madje, ofrohen ta ndihmojnë. “Bravo i qoftë e i lumtë dora ooo zotri hap një numër llogarie dhe ta ndihmojmë të gjithë me sa kemi mundësi.”

“Filloj saga edhe për gjyqtarët, uroj që shumë shpejt të ndodhë edhe në zyrën e kryeministrit”, shprehet një tjetër komentues.

Një mbështetje e tillë popullore është e habitshme por është tregues i qartë se shoqëria shqiptare po e mbështet dhunën dhe përhapjen e saj. Një padrejtësi e sistemit, nuk mund të jetë arsye për të marrë jetë!

Si ndodhi ngjarja?

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t’i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI