Pas pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Berlinit i zhvilluar në Londër më 22 tetor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë ka udhëtuar drejt zemrës së Gjermanisë, Berlin. Shefi i qeverisë po merr pjesë në forumin e ‘Berlin Global Dialogue’, aktivitet që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin gjerman me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.

Forumi ‘ Berlin Global Dialogue’ (BGD), trajton këtë vit temën “Zhvendosja e Fuqisë, Formësimi i Begatisë”. BGD 2025 do të ofrojë një platformë për udhëheqësit nga biznesi, qeveria dhe akademia për të zbuluar mundësi të përbashkëta, për të krijuar partneritete të reja dhe për të krijuar besim në një botë shumëpolare. 

Kryeminsitri Rama është shprehur se Shqipëria sot është në rrugë të mirë përsa i përket përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rama thotë se sot Evropa ka po aq nevojë për Ballkanin Perëndimor, sa dhe vetë ballkani ka pasur gjithmonë. Një tjetër qasje, ishte dhe konteksti i kufijve të BE-së, i vetmi subjekt, i cili ka dy kufij, dhe Shqipëria momentalisht bën pjesë vetëm në atë territorial.

“Po kemi pasur një vit të mbarë po ta vendosim në kontekstin e Evropës dhe të gjërave në përgjithësi.

Kemi çelur 5 nga 6 grupkapitujt, mezi po presim të çelim të fundit deri nga fundi i vitit që do të shënojë rekord përsa i përket shpejtësisë në proces. Në këtë moment, Evropa është plotësisht e zgjuar, çka nuk ishte kështu disa vite më parë. Për fat të keq për të pasur një zgjim të tillë, duhej agresioni brutal kundër Ukrainës, por tani mund të shohim një dallim të madh. Më parë Be thjesht thoshte që Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm gjeopolitikisht, tashme edhe veprat po e tregojnë që ka një angazhim për të na sjellë më pranë.

Nuk jam fort i sigurt që të gjithë e kanë të qartë hartën e BE. Dua të them që në historinë e hartave, BE është i vetmi realitet gjeografik e gjeopolitik që ka dy kufij. Zakonisht cdo subjekt ka në kufi, të brendshëm dhe të jashtëm. Brenda perimetrit të kufirit të brendshëm jemi ne. Në një farë mënyrë jemi kërthiza e BE. Hezitimi për tu bashkuar me këtë pjesë, është absolutisht ide jo e mirë. Unë besoj që për të gjitha ato arsye të mira është BE që ka nevojë për Ballkanin Perëndimor si pjesë e realitetit të vet po aq sa kemi dhe ne nevojë për atë”, tha Rama.