Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe atij të Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike, po raporton Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela për veprimtarinë e institucionit që drejton në vitin 2024. Çela tha se gjatë vitit 2024 kanë trajtuar në total 61 176, një rritje prej më shumë se 10% në krahasim me vitin 2023.

“Në 2024, në Prokurori janë trajtuar 61 176 materiale në shqyrtim, rritje prej 10.52% në krahasim me një vit më parë. Janë ndjekur 47 576 procedime penale, rritje prej 4.79% krahasuar me 2023. Nga të cilat, 24 956 procedime penale të regjistuara, 22 441 janë procedime të mbartura dhe 179 të rifilluara. Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara është në Tiranë, 35.5% të totalit, ndërsa më i ulët në Dibër dhe Kukës, rreth 2.5%”, tha ai.

Ai u ndal edhe te masat shtrënguese, teksa tha se ka një tendencë për masa më ekstreme të kërkuara nga prokurorët dhe të vëna nga gjykatat. Por, ai tha se pavarësisht një udhëzimi të miratuar në vitin e kaluar, ende nuk ka një reflektim.

“Janë paraqitur në gjykatë 13 062 kërkesa për sigurimin personal. Të dhënat mbi kërkesat e prokurorëve për masat e sigurimit tregojnë se në 2024, rreth 60% të të pandehurve ose për 34 të personave në hetim është kërkuara masë sigurimi shtrënguese. Rezulton se 59.5% të kërkesave lidhet me caktimin e mase me arrest, të kërkuara për thuaj 36% të të pandehurve të regjistuar ose 20% të personave në hetim në total. Në 2023, është kërkuar masa sigurimi shtrënguese për mbi 55% të të pandehurve të regjistruar ose 32% të personave në hetim. Rreth 59.3% e kërkesave lidhet me caktimin e masës me arrest, e kërkuar për 32.8% të të pandehurve ose për 19% për ata në hetim. Vetëm në 31 raste në total është kërkuar masa e garancisë pasurore. Ndërkohë që është kërkuar arresti me burg ndaj 3 078 personave, dhe detyrim paraqitje ndaj 2611 personave. Ka një tendencë për përdorimin e masave më ekstreme nga prokuroritë dhe gjykatave. Nisur nga këto të dhëna u miratua në korrik 2024, një udhëzim për masat e sigurimit. Megjithatë, me gjithë këtë udhëzim, ende nuk ka reflektim nga ana e prokurorëve”, tha Çela.

Çela ka adresuar kërkesën urgjente për përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të drejtësisë. Çela ka bërë me dije se në kërkesë e posaçme i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, por a zgjedhje vijon të jetë çështja e truallit që do të përdoret për ndërtim si dhe financimi për projektin.