Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe atij të Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike.
Çela u shpreh se në 2024, në Prokurori janë trajtuar 61 176 materiale në shqyrtim teksa thekoi se ka patur rritje prej 10.52% në krahasim me një vit më parë. Ai tha se janë ndjekur 47 576 procedime penale. Prokurori i Përgjithshëm theksoi se numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara janë në Tiranë.
Ai foli edhe lidhur me masat për sigurimin. Çela tha se ka një tendencë për masa më ekstreme të kërkuara nga prokurorët dhe të vëna nga gjykatat. Çela ishte kritik ndaj drafit të Kodit të ri Penal. Sipas tij ndryshimet në këtë Kod kanë krijuar probleme me funksioninim e institucionit të prokurorisë.
Ai tha se këto ndryshime sjellin ngarkesë dhe zvarritje në proceset hetimore dhe gjyqësore. Sipas tij këto janë urgjente dhe se Kodi Penal nuk ka qenë urgjencë asnjëherë.
Ai u shpreh se asnjë prokuror nuk është në gjendje të bëjë një analizë të saj për shkak të kohës së kufizuar. Kryeprokurori theksoi gjithashtu se teknika e dispozitave nuk është në lartësinë e duhur.
“Sot e kam të pamundur të bëj një vështrim kritik mbi draftin me funksion përmirësim, sepse duhet të ngre një grup pune që duhet të bëjë një draft të ri, mbi draftin aktual, s’kemi as kapacitete dhe as kohë”, tha ai.
Sipas tij sot nuk ka asnjë prokuror në gjendje që të bëjë një analizë 900 e ca dispozitave që ka Kodi i ri teksa theksoi se nuk kanë kohë.
“Nëse ka 400, 500, 600 dosje ku e gjeti ky prokuror kohën të japë një mendim të profesional në ato pak orë me një grup njerëzish sa i përket Kodit”, shtoi ai.
Çela foli edhe lidhur me infrastrukturën e institucioneve të drejtësisë teksa theksoi se duhet të përmirësohen. Ai tha se në kërkesë e posaçme i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, por pa zgjidhje vijon të jetë çështja e truallit që do të përdoret për ndërtim si dhe financimi për projektin.
“Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara.
Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit,” tha ai.
			



















