Nga Sandra Cvetkoviq, REL

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka edhe dy ditë kohë ligjore për t’ua prezantuar Qeverinë anëtarëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse Qeveria nuk zgjidhet të dielën – pas zgjedhjeve të shkurtit dhe muajve të tërë përpjekjesh për të formuar institucionet e reja – Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori më shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme Qeverinë.

Tani, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e deputetëve nga partitë e tjera deri të dielën.

Për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi, Kurtit i janë mbyllur dyert dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja. Dëgjojeni intervistën e realizuar me të.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosje e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa e la derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tani për tani – së paku publikisht – nuk ka informacione se një marrëveshje koalicioni është në horizont.

Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.

Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 vende dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 8 vende.

Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare, të njohura nga Kushtetuta e Kosovës: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Për të zgjedhur një qeveri të re, personi përgjegjës duhet të sigurojë së paku 61 vota.

Më 20 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se ka ende kohë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Qeverisë, por kritikoi Listën Serbe për “krijimin e pengesave”.

Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe është në pritje të përgjigjes.

Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranon ankesën e Listës Serbe si të bazuar, në praktikë kjo do të thoshte se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar.

Kjo do ta bënte të pamundur ndërmarrjen e ndonjë hapi drejt formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja.

Më herët, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Listës Serbe se Kuvendi nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Më pas u zgjodh Rashiq, sepse asnjë nga nëntë kandidatët nga Lista Serbe nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, një kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb propozohet nga shumica e deputetëve nga ai komunitet – gjë në të cilët thirret edhe Lista Serbe në ankesën e saj.

Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve.

Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.