Në kryeqytetin danez, Kopenhagen, mbahet këtë të enjte Samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropian, që mbledh së bashku udhëheqës nga e gjithë Evropa. Të pranishëm janë liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues nga 22 shtete të tjera, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Bashkëkryesues të takimit janë kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në fokus të samitit janë mbështetja për Ukrainën, siguria dhe stabiliteti i kontinentit, në një kontekst gjithnjë e më sfidues gjeopolitik. Pas seancës plenare, diskutimet do të vijojnë në tryeza të rrumbullakëta mbi kërcënimet hibride, sigurinë ekonomike dhe çështjet e migracionit.

Agjenda e ditës nis në orën 08:15 me mbërritjen e liderëve, pasuar nga seanca plenare në 10:00 dhe fotoja familjare në 11:30. Pasdite do të zhvillohen takime dypalëshe, ndërsa seanca përmbyllëse është planifikuar për në orën 15:00.

Samiti vjen një ditë pas takimit joformal të Këshillit Evropian, ku u diskutua gjithashtu për mbrojtjen evropiane dhe luftën në Ukrainë. Mbrëmjen e djeshme, liderët morën pjesë në një darkë zyrtare të ofruar nga Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Margrethe II në Pallatin Amalienborg.

Takimi në Kopenhagen pason samitin e gjashtë të mbajtur në Tiranë më 16 maj, me temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet bashkëpunim veprim i përbashkët.”