Shtatë pengjet e para izraelite janë dorëzuar sot nga Hamasi te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Rripin e Gazës, raportojnë mediat izraelite. Lajmi është konfirmuar edhe nga agjencia e lajmeve Reuters, e cila citon një zyrtar të përfshirë në operacion.

Ndërkohë, babai i njërit prej pengjeve, Guy Gilboa-Dalal, ka deklaruar për median izraelite Haaretz se djali i tij është tashmë në duart e Kryqit të Kuq dhe pritet që brenda 15 minutash t’i dorëzohet ushtrisë izraelite.

“Është një ëndërr që bëhet realitet. Jemi të emocionuar dhe mezi presim ta përqafojmë,” ka thënë Ilan Dalal.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Kryqi i Kuq apo ushtria izraelite për dorëzimin e pengjeve.