Altin Dumani tha sot në Kuvend se Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapa hetues mbi vendimin e qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe është konkluduar me mosfillim të procedimit penal.
“Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Prokurori i çështjes e ka konkluduar me mosfillim procedimi penal. Nuk është ankimuar në gjykatë”,- tha Dumani.
Pretendimeve të deputetit Flamur Noka për rrjetin e patronazhimit të Partisë Socialiste, Dumani iu përgjigj se përsa kohë nuk ekziston vepra penale e korrupsionit aktiv apo pasiv, nuk mund të ketë ndërhyrje të SPAK.
“Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë”,- tha Dumani.
Për krimet zgjedhore, kreu i SPAK tha se është verifkuar çdo pretendim dhe kallëzim.
“Unë e kam përmendur edhe herë të tjera: SPAK ka verifikuar çdo pretendim të kallëzuesve. Në çdo rast, dhe ky ka qenë edhe objektivi i Task-Forcës së ngritur, verifikimet të bëheshin në kohë rekord, dhe ne kemi vendosur në 43 raste mosfillim procedimi penal. Nga 43 rastet janë ankimuar në gjykatë vetëm 3. Kryesisht këto kallëzime penale kanë pasur për objektiv punësimin e paligjshëm, asfaltin elektoral dhe përdorimin e administratës publike”,- tha Dumani.




















