Këtë të të hënë në orën 10:00, Kuvendi do të zhvillojë seancën e radhës plenare, e cila parashikohet të zgjasë gjatë, pasi do të përfshijë raportimet e disa institucioneve të drejtësisë.

Në pjesën hyrëse të seancës pritet miratimi i ngritjes së dy Komisioneve të Posaçme, atij për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale.

Për këto struktura, mazhoranca dhe opozita kanë arritur marrëveshje për ndarjen e barabartë të anëtarëve dhe bashkëkryetarëve, si dhe për përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare kur të jetë e nevojshme.

Pas kësaj, Kuvendi do të dëgjojë raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili do të paraqesë bilancin e kriminalitetit për vitin 2024. Më tej, do të raportojë drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, për aktivitetin e institucionit që ai drejton. Në rend dite janë gjithashtu raportimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, si dhe ato të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në këtë seancë nuk do të marrë pjesë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili është përjashtuar për dy javë pas debatit në seancën e kaluar me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Bardhi i ka dërguar Peleshit edhe një shkresë zyrtare, ku i kërkon të shmangë çdo formë provokimi ndaj deputetëve.