Këtë të martë në orën 19:00 në “Air Albania” kombëtarja shqiptare e futbollit do zhvillojë një test miqësor kundër Jordanisë, një ekip që e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën finale të Kupës së Botës 2026. Veç mendjes në fushë, kuqezinjtë do i kenë sytë edhe nga rezultatet e rivalëve në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.

Në orën 20:45 Andorra pret Serbinë, ndërsa në Letoni vendasit përballen kundër Anglisë. Vëmendja e tanëve është në Andorra, pasi një fitore e tyre kundër serbëve (rivali ynë direkt) do të thoshte një hap më pranë vendit të dytë që të dërgon në play-off.

Shqipëria tre ditë më parë fitoi 0-1 në Serbi dhe la këta të fundit në vendin e tretë me katër pikë më pas, duke ‘blinduar’ në një farë formë vendin e dytë.

Ndeshja kundër Jordanisë

Takimi i sotëm kundër Jordanisë është i dyti mes këtyre skuadrave. Ishte 10 tetori i 2018, pra diçka më shumë se shtatë vite më parë kur në ‘Elbasan Arena’ Shqipëria dhe Jordania barazonin 0-0. Arbitër kryesor sot do jetë zvicerani Lukas Fähndrich, me ndihmësa bashkëkombasit Jonas Erni dhe Nicolas Müller. Arbitër i katërt shqiptari Juxhin Xhaja.

Sylvinho me ekip të dytë

Kundër Jordanisë, nga minuta e parë pritet një ekip totalisht ndryshe nga sfida në Leskovac, fituar 0-1 kundër serbëve. Pritet që ‘ekipi i dytë’ i Kombëtares të jetë në fushë, një mundësi për lojtarët që nuk kanë marrë minuta. Nga fillimi edhe Klisman Cake, që duket se do debutojë me ngjyrat kuqezi, ndërsa në pjesën e dytë minuta duhet të ketë edhe për Nazmi Gripshin.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Dajsinani; Balliu, Cake, Mihaj, Aliji; Ramadani, M. Berisha, N. Bajrami; Hoxha, Asani, Daku Trajner: Sylvinho