Porsa emri i aktorit të humorit Florian Binaj u zyrtarizua si kandidat i opozitës për bashkinë e Tiranës, i mbështetur nga katër parti, menjëherë në rrjet filluan të qarkullojnë disa foto, ku ai dukej i veshur me përparëse në një nga aktivitetet e neveritshme propagandistike të Erion Veliajt, për t’i shpërndarë ushqim personave që kanë nevojë për ndihmë. Në një nga imazhet, Binaj performon me mikrofon në dorë, ndërsa Lali e sheh i lumturuar, sikur ka rekrutuar edhe një tjetër yll të ekranit në vathën e vet. Në tjetrën, ata pozojë së bashku pas një pjate me supë.
Me sa duket ky afishim me ish-kryebashkiakun e shndërruar në simbol të korrupsionit, e ka shqetësuar së tepërmi atë që do të predikojë gjatë fushatës së ardhshme vlera krejt të ndryshme. Aq shumë sa e ka detyruar që të gënejë.
I ftuar në emisionin “Top Story” të Grida Dumës, ish aktori i Portokallisë u vu në pozicionin për t’u mbrojtur me të pavërteta për këto foto. Duke thënë se bëhej fjalë për një ngjarje të vitit 2014 -2015, pra kur Veliaj ishte ende ministër dhe nuk e kishte fituar bashkinë. Ai e tregoi ngjarjen kështu:
“Më merr një zonjë në telefon dhe më thotë që punon tek zyra e pritjes së moshës së tretë… ne organizojmë mbledhim ushqime dhe më fton të bëjmë një takim me ta. Shkoj atje takoj pleq, gëzimi madh, përqafime, njëri prej tyre më ngjasonte me gjyshin” tha ai (video e plotë poshtë).
Duke u çuar nga vendi i të ftuarit dhe duke iu afruar Gridës ai e aktroi kështu skenën e dikurshme: “Teksa i shërbeja pleqve shoh një hije që vlen shpejt, e thotë “Lal shkrepe shpejt”, dhe nuk dija si të reagoja. Nuk e dija që ishte aktivitet i Veliajt, çfarë duhet të thoja, duhet t’i thoja pleqve që hiqni çapën e bukës se erdhi ky. Veliaj në atë kohë nuk ka qenë kështu, nuk kishte perceptimin që ka sot. Që nga ajo kohë ne nuk kemi qenë më bashkë”, u justifikua Binaj.
Në këtë rrëfim aspak të sinqertë ka dy gjëra që kërcasin. E para është koha kur ka ndodhur. Ashtu siç nxorën nga arkivat mediat e majta, ngjarja ka ndodhur në 9 prill 2018, ka qenë një aktivitet i bashkisë së Tiranës, me familjet rome, në ditën e Pashkës Ortodokse. Se kush ishte Veliaj në këtë kohë, nuk ka nevojë për komente. Ai kishte shkelur premtimin solemn për të mos dhënë leje ndërtimi në qendër të qytetit duke përdhosur një zotim të fushatës, ai kishte pushuar nga puna dhe kishte mbyllur emisione që investigonin vrasjen e Ardit Gjoklajt tek Landfilli i Sharrës, pra qe larg së qeni një ëngjëll.
As manipulimi prej tre vitesh me datën, as justifikimi se nuk e kishte kuptuar natyrën e kryebashkiakut nuk qëndrojnë.
Aq më pak i besueshëm është pretendimi se Binajn e kanë futur në kurth, dhe Lali i është ngjitur sa për të kapur një foto. Në një tjetër imazh Binaj shihet duke mbajtur fjalim, krah Veliajt para publikut rom (foto poshtë), mos vallë dhe fjalët ia vodhën tinëzisht?
Pastaj, kush ka marrë pjesë qoftë edhe në një nga “mis en scene” të stafit të dikurshëm të bashkisë, e di mirë që zona rrethohej me badigardë dhe polici bashkiake që mos depërtonte ndonjë kamer e padëshiruar. Se mjedisi brenda ishte i mbushur me punonjës bashkiakë, fotografë dhe kameramanë që prisnin të vinte shefi. Pra edhe nëse e kishin futur në kurth me një telefonatë, Binaj do ta kish kuptuar me kohë që ky nuk qe një aktivitet i zakonshëm bamirësie dhe do të kish pasur shumë kohë për t’u “arratisur”, pra se të fillonte ndarjen e supës dhe Lali t’i afrohej tinëz.
Edhe një argument i tretë. Nëse Binaj ishte futur në kurth, siç pretendon sot, ai nuk bëri ndonjë përgënjeshtrim kur pa se, pas aktivitetit, Veliaj e përdori në një status të veçantë (foto poshtë), në stilin e tij të njohur për të punuar bashkë me kritikët dhe për të mos u marrë me llafe. Kjo është shenjë e veçantë se aktori i humorit e kishte pranuar me vetëdije “supën” e Veliajt.
A kemi të bëjmë këtu me ndonjë krim? A ka bërë Binaj në nëntor 2018 ndonjë mëkat? Natyrisht që jo. Gafa e tij më e madhe është hipokrizia dhe lehtësia me të cilën gënjeu tani si kandidat. Ajo flet jo vetëm për mënyrën me të cilën ai e ka perceptuar fushatën, por edhe për aprofesionalizmin e atyre që e përgatisin për t’u përballur me të dhe të ciliët duhet ta kenë pritur që atij do i kërkohej një shpjegim për këtë ngjarje të së shkuarës. Florian Binaj që në përballjen e parë zgjodhi rrugën me të lehtë, atë të manipulimit, duke harruar se një garë elektorale nuk është një skeç, që kalohet me një batutë Portokallie./ Lapsi.al