Gjergj Fishta lindi në një nga fshtatrat e Lezhës, siç është Fishta më 23 tetor 1871. Dijet e para në arsim i mori në Kolegjin Saverian të Shkodrës. Në Bosnjë studioi për filozofi dhe teologji. Ishte bashkëthemelues i shoqërisë kulturore-politike “Bashkimi,” të Shkodrës e cila dha një kontribut të çmuar në hartimin e alfabetit shqip. Më 1908 kryesoi Kongresin e Parë të Manastirit, dhe në vitin 1916-1918 mori pjesë aktive në “Komisinë Letrare të Shkodrës”. Mori pjesë në jetën politike të vendit duke u përpjekur për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe demokratizimin e shtetit shqiptar që ishte në fillimet e tij. Vdiq më 1940. Poema epike “Lahuta e Malcis” është një nga majat e letërsisë shqipe e shkruar nga Gjergj Fishta dhe “Mirzi i zanave”, satirat “Anxat e Parnasit”, “Gomari i Baba Tasit” etj…Ai me penën e tij shkroi dhe lëvroi shumë tema, si estetike, filozofike, politike, publiçistike të cilat i gjejmë të pasqyruara tek shtypi i kohës si “Albania” e Faik Konicës e deri tek “Ylli i dritës” të cilën e drejtoi vetë për 20 vjetë me radhë. Prej nivelit të lartë të krijimit dhe mendimit Gjergj Fishta gëzon një vend të merituar në Panteonin e shkrimtarëve dhe mendimtarëve të kombit shqiptar. Fishta trajtoi me shumë guxim tema të sociologjisë , linguistikës religjionit, të kulturës dhe artit, të komunikimit dhe të edukimit, të morali, të arsimit dhe shkencës dhe kompleksitetin e marrëdhënieve familjare ( duke marrë për object jetesën kanunore e me zakone të shqiptarit) martesën, divorcin, traditat e mira fisnore dhe aristokratike të tij, por edhe veset dhe huqet e këqia të trashëguara nga e kaluara historiko –politike.

Në një nga artikujt e tij polemizues me shtypin francez dhe poltikën e Francës në Ballkan të titulluar “A JANË T’ZOT SHQIPTARËT ME U MBAJT M’VEDI”, ndër të tjera ai shkruan: Na e dim sigure se francezt, vjet e përpara, as mendue s’do të t’kenë se gjindet kund Shqypni n”Evropë, e se, kur kan ni ndojherë tuj folë për shqyptarë, u asht ba se po flitet për ndoj fis t’Patagonjas, a t’ishujve t’Sondes kaq pak qi populli francez ja ka vu menden me njoftë me themel e me randësi t’njimendtë se si asht fisi shqyptar. Prandaj ne pa droje gabimit të shtypit frnancez i cili ka vite që shkruan kështu gjëra të pavërteta për fisin shqiptar, sepse kështu janë urdhëruar nga Bankat e Parisit dhe qeverive të tyre, dhe për të krijuar një informacion të errët dhe ndaj duhen sqaruar mendjet e kthjellta e të paanshme. Por ne duke ditur se Franca hynë tek ato shtete të fuqishme dhe me ndikim në politikën botërore, kemi nevojë për ndihmën e simpatinë e këtyre shteteve të fuqishme, dhe duhet t’i tregojmë se shqiptarët nuk janë një racë barbare, një komb që nuk mundet që të bëhet shtet më vete, dhe se kjo na qenka justifikimi për t’jua lëshuar sllavëve të Ballkanit, për t’u qytetëruar, ja pse duhet ti qartësojmë mendjet e intelektualëve francezë dhe t’i shtojmë ata që mendojnë mirë e me simpati për një popull që do sot një shtet të vetin e po ecën në udhën e përparimit, shprehet më tej Gjergj Fishta.

Antropologu i shquar gjerman, Wirkov pas studimesh të gjata të heshtrave (skeleteve) të shqiptarëve në kohëra të hershme ka thënë se: raca shqiptare është më fisnike, më bujare e të gjithë popujve të Ballkanit (Voila la nace vraiment superiure de ces contrees). Një temë të cilën e kishte më për zemër Gjergj Fishta ishte interesi i tij i vazhdueshëm për lëvrimin e gjuhës shqipe. Në një artikull mbi Estetikën e Gjuhës ja si është shprehur ai: Njësija e gjuhës si shej komomsis. Më e qartë e shenjës të kombësisë është njësimi i gjuhës, vazhdon më tej Fishta. Si shembull të argumentit jep popujt e Spanjës dhe të Meksikës që flasin të njëjtën gjuhë, apo Anglisë dhe Irlandës së Veriut. Por disa shqiptarë kur shkruajnë shqip e përziejnë gegnishten me toskërishten në një mënyrë kaq të vrazhdë, sa të bën që të mos i lexosh. Ajo nuk është gjuhë, ajo është si mushka, që s’është as kal as gomar. Që të bëhet gjuha letrare nuk është nevoja me kriju një gjuhë të re: lypet vetëm ta njohësh gjuhën dhe t’i ndjekësh rregullat e saja mirë, dhe më pas t’i rreshtosh fjalët me shkrim me mjeshtëri, e atëhere, koha dhe dija estetika kanë për ta gjykuar se cili dialekt do të zgjidhet për gjuhë letrare në Shqipëri…

Për gjuhën shqipe kanë rënë heronj dhe kjo tregon se të huajt na kanë sulmuar pikërisht që të mos kishim një zhvillim letrar dhe qeveritar për shkak të mos pasjes së një gjuhe të unifikuar dhe më keq akoma shumë gazetarë të rinj duke shkruajtur fjalë të huaja po e bjerrin gjuhën shqipe. Po tjetër gjë është që të gjesh fjalë të vlefshme duke i përdor me mjeshtëri, dhe tjetër gjë është që të shumtosh gjuhën, shkruan Fishta. Njihet nga lexuesi shqiptar si postulat thënia e Fishtës që thotë: “Tani që është bërë Shqipëria duhen të bëhen shqiptarët”, në fakt është një artikull me titull “TASH QI ASHT BA SHQYPNIJA DUHEN PERBA SHQYPTARËT”, po shkëpusim një paragraph nga ky shkrim memoristik të Gjergj Fishtës së madh. – E vërtetë se sod me sod Shqypnija asht në grat për rruga, ura e rregullime, ujnash: se ktu s’ka fabrika, avullore, udha të hekurta, etj…, por kto nuk do me thanë, se s’ka Shqypni të lirë e të pavarme. Nuk janë rrugat e urat e shejet e tjera të përparimit, qi bijn lirin e popujve; por asht kujdesi e me punë të padame Shqypnija, nëpër liri e pavarsi të veten, ka me përparu- do përparojë. Mbas pesëqind vjetsh robnije, s’ka pasë si bahet në dhjetë vjetë Shqypnija Ingliterrë, ta merr mendja.

A jemi, pra ne shqiptarët sot një element i shëndoshë e një faktor i fortë, për të mbajtur Shqipërinë në këmbë e për t’i dhënë përparim e lulëzim? Për t’i vlejtur shtetit-atdheut më parë duhet të dish se çfarë është atdheu, dhe më pas duhet me e dashtë me gjithë zemër. Mirëpo shton Fishta, duhet ta dimë se a ka shqiptarë që bwjnë Shqipërinë dhe mëkëmbin shtetin? Ciceroni thotë: “Shteti është pjesë e kombit. Por komb nuk quhet çfarëdo lloj turme njerëzish, por një popull që vepron me ligje dhe rregulla për një interes të përbashkët”. Prej kësaj thënie del se që të jetë Shqipëria me shtet, nuk është fjala që vetëm të jesh shqiptar vetëm me fis e me trup, por duhet që të jetë një shqiptar me shpirt, një shqiptar që të përmbledh kombin, e jo vetëm popullin. Për t’u shoqëruar shoqërohen edhe hajdutët, por nuk përbëjnë as komb e as shtet. Gjergj Fishta për ta ilustruar idenë e tij më thellë përmend disa vargje të një poezie italiane:

DellaPatria l’amur santo e perfeto,

Che amuor di figlio e di fratello avanza

Empie a mille la boca e a diecil peto.

E përkthyer në shqip do të thotë: atdhedashurinë e kanë në gojë një mij vetë, por zemër dhejetë vetë janë po ose jo. Nga këto vargje siç shihet edhe në Evropën e madhe numri i atdhetarëve nuk është aq i madh. Po ashtu në një citim tjetër Fishta tregon se përpara se të aprovojnë buxhetin e shtetit parlamentarët të jenë atdhetarë. Pas vëzhgimit të Fishtës ai është i mendimit, se sot për sot ka Shqipëri, por shqiptarë të vërtetë ka pak ose aspak. Mirëpo kush do t’i bëj këta shqiptar të vërtetë? shtron pyetjen ai në këtë artikull. Çelësi është Morali! E gjithë forca materiale dhe morale e qeverisë duhet të jetë homogjene. Nëse organizon në homogjinitet parimet morale dhe shoqërore ngallnjejnë idetë dhe nëpërmjet homogjenitetit të ideve ngrihet veprimi homogjen (i përbashkët), kështu nëpërmjet këtij veprimi të përbashkët forcohet shteti- lulëzon Shqipëria, thekson Gjergj Fishta.

Kastriot KOTONI