SPAK reagon pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Prokuroria e Posaçme dënon ashpër ngjarjen e rëndë dhe kërkon rritje të masave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.
Reagon SPAK:
Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës. Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme.