Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj derisa ka treguar vështirësitë që hasen për t’u informuar për armatimin që blen Serbia nga Irani dhe Kina, ka theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti për pak vota ka zbuluar të gjitha specifikat e dronëve që kanë ardhur në Kosovë, gjë që asnjë njeri normal në botë nuk e bën.

Haradinaj në tubimin përmbyllës zgjedhor të AAK-së në Deçan, ka thënë se askush nuk mund t’i mësojë se si duhet të jetë Deçani sepse ata kanë ditur të kontribuojnë çdoherë në histori, e deri te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj: Deçani ka ditur t’i bëj për vete aleatët, Milloshi u sulmua në shtëpinë e vet

“Jeni ju që edhe në luftë keni ditur t’i bëni për vete aleatët tonë të sigurisë, me bërë për vete Amerikën e një ditë, atë që nuk e kishim ne, pra ne nuk e kishim fuqinë që me ia kthyer armikun dorën në Beograd siç na kthenin ata neve, ju arritët me ia kthyer një vit më vonë, në të njëjtën ditë Milloshin në Beograd. Atë ditë Milloshi ndoshta ka dashur ta festojë që e ka sulmuar Gllogjanin e Deçanin , atë ditë ai e ka hangër mbi kokën e vet, mbi shtëpi të vet, mbi qytet të vetin. Jeni ju, ju keni dita ta bëni këtë. Deçani e ka bërë këtë, historia do ta njeh dhe do ta vlerësoj. Unë e kam përcjell kryetarin Ramosaj kur ka qen , besoni që projektet që askujt nuk ia merr mendja që bëhen, ky i ka dërguar e sot i keni realitet”, tha ai.

Haradinaj nuk e la pa u ndalur edhe te kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të cilin tha se njeriu normal nuk ia tregon armikut se çfarë armë ka blerë.

Haradinaj: Asnjë njeri normal nuk e bën këtë por Kurti tregoj Serbisë çfarë dron kanë ardhur

“Ne kemi shumë vështirësi nëpërmjet Agjencive të Inteligjencës, që ta kuptojmë kur Serbia, kur blen ata në Iran dhe Kina. E çka bën kryeministri jonë. Kur kanë ardhur dronët, të cilët nuk janë të këqij, shyqyr që i kemi, ky ka dal dhe i ka treguar edhe specifikat, sa kilometra fluturojnë, deri ku mbërrijnë dhe kush njeri normal në botë nuk e bën me i treguar armikut tënd që të kanë ardh do dronë. Ne mundohemi me kuptu çka ka marrë Serbia por kurrë nuk jemi të sigurtë nuk jemi çka kanë blerë ata në Iran e Kinë e tjetërkund. Ky del për pak vota e i tregon armiqve dhe krejt botës që na kanë ardh. Ne nuk kemi bërë kështu, ne i kemi kryer punët edhe në jug edhe në veri dhe çdo pëllëmbë e Kosovës ka qen, është dhe do të jetë Kosovë dhe e ka zbatuar ligjin ushtari dhe polici jonë. E këndo që e kam taku unë dhe e kam prit e i kam shkuar, kam shkuar se e kam bërë bashkë me aleatët tanë të sigurisë për me shtrirë rendin, ligjin, në veri dhe gjithkund dhe me ua treguar vendin të tërëve se këtu i thonë Kosovë dhe Kosovë ka me mbet….në veri që thonë e kemi bërë sot kanë qen aty pikat kufitare 1 dhe 31 janë aty moti, policia aty ka qen rregullisht, si ia kemi ndal takimin pa leje në atë kohë dhe ata që kanë hyrë pa leje si i kemi sjellë në Prishtinë dhe a ka guxuar ndokush të bllokojë rrugët tona”, tha ai, duke shtuar se ai që dëshiron t’i bëjë dëm këtij shteti, thirret më së shumti në nacionalizëm e me flamur kuq e zi.

Kryetari i Komunës së Deçanit dhe kandidati për një mandat tjetër nga kjo parti, Bashkim Ramosaj falënderoi të gjitha strukturat e partisë për kontributin dhe angazhimin që kanë bërë gjatë kësaj fushate.

Ai tha se këto dita ka parë shumë vëllezër e motra bashkatdhetarë që kanë ardhur nga mërgata dhe ka falënderuar për të gjithë ata që kujdesen për familjen e tyre, komunën dhe shtetin.

Sipas tij, Koncepti i krijuar në këtë qytet është tanimë është i matshëm dhe brenda një programi që janë zotuar për katër vitet e ardhshme.

Ramosaj: Duam ta përmbyllim të dielën këtë proces dhe nuk do të lejojmë të na ndodh ndonjë incident

“Djem e vajza që kanë kërkuar besimin për me ua marrë një ulëse në Asamblenë komunale e bashkë me ta edhe unë. Është shumë e rëndësishme kur qyteti të beson, kur njerëzit e këtij qyteti të besojnë, sepse është diçka e shenjët, diçka që të obligon për t’i lëviz gjërat pozitivisht, andaj iu ftojë gjithë juve që me qen bashkë në këto zgjedhje të 12 tetorit dhe me dal fituar si asnjëherë më parë…kur kemi hyrë kësaj fushate e kemi marrë një vendim jonë përballë qytetarëve ka qenë ne flasim me punë, por edhe vendimi jonë përball kundërshtarëve politikë ka qen ne flasim me punë dhe kemi duruar lloj lloj shpifjesh, lloj lloj ofendimesh, mirëpo ne të hënën dalim në punë e bashkë kemi me qeverisë edhe katër vite për punë të mira e për zgjidhje të mira të këtij qyteti, se fundi i fundit obligim i zyrtarëve politikë në çfarëdo lloj niveli që funksionojnë është se me bërë vendin më të mirë, me bërë një vend të jetushëm, me bërë një vend ku rinia besojnë me standarte evropiane dhe ky është obligim e sidomos neve përballë jush që po kërkojmë besimin e juaj. Andaj dinjitetshëm, të durueshëm, pa ofenduar askënd duam ta përmbyllim edhe të dielën këtë proces, nuk do të lejojmë të biem në provokime, nuk do të lejojmë të na ndodh ndonjë incident dhe qyteti jonë që ka vlera, askush nuk mundet me shpërfaq një fytyrë tjetër në këtë qytet“, tha ai. AAK garon në këto zgjedhje me numrin 174.