Ushtria izraelite ka dhëne paralajmërimin e saj të fundit për banorët e qytetit të Gazës që të zhvendosen drejt jugut.

Sipas autoriteteve shëndetësore lokale, të paktën 51 palestinezë janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin total të të vrarëve në mbi 66,000 që nga fillimi i luftës pothuajse dy vjet më parë.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se ky ishte paralajmërimi i fundit për civilët në qytetin e Gazës që të largohen në jug. Ai paralajmëroi se ata që do të mbeten do të konsiderohen terroristë ose mbështetës të tyre. Këto deklarata janë kritikuar nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të cilët theksojnë se evakuimet e detyruara dhe penalizimi i civilëve për moslargim përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi pezullimin e operacioneve në qytetin e Gazës për shkak të përshkallëzimit të dhunës.
Ushtria izraelite ka bllokuar gjithashtu rrugët kryesore për në veri, duke ndarë Gazën në dy pjesë. Megjithatë, është lënë një rrugë bregdetare e hapur për civilët që duan të zhvendosen në jug.
Në këtë klimë të tensionuar, Hamasi po shqyrton një propozim armëpushimi nga presidenti amerikan, Donald Trump. Plani 20-pikësh, përfshin kërkesa që Hamasi të çarmatoset, të dorëzojë 48 pengjet e mbetura brenda 72 orëve dhe të tërhiqet nga çdo rol qeverisës në Gaza.
Planin e Trump e kanë mirëpritur disa vende arabe dhe rajonale, përfshirë Egjiptin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Autoriteti Palestinez. Megjithatë, dy grupe të armatosura aleate të Hamasit e kanë kundërshtuar publikisht, duke argumentuar se ai i jep Izraelit kontroll mbi Gazën dhe do të shënonte fundin e rëndësisë politike të Hamasit.
Diskutimet rreth planit pritet të zhvillohen në Doha, nën ndërmjetësimin e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë. Mbetet e paqartë nëse përfaqësuesit e Hamasit do të marrin pjesë, pas një sulmi izraelit në Doha muajin e kaluar që synonte zyrtarë të lartë të grupit.

Ndërkohë, kriza humanitare në Gaza po thellohet, pasi të paktën 455 palestinezë kanë vdekur nga uria që nga fillimi i konfliktit, përfshirë dy të vdekur në 24 orët e fundit. Ndihma humanitare mbetet e kufizuar, dhe rritja e sulmeve ka goditur infrastrukturën bazë, përfshirë shkollat dhe rezervuarët e ujit ku civilët janë vrarë.