Nga Namir Lapardhaja

Sa here që do të ketë një ngjarje apo një zhvillim të madh si ai i tubimit në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, do të dalin në pah edhe një pjesë e opinionit që risjell në vëmendje glorifikimin e figurës së ish-diktatorit Hoxha në raport me Kosovën dhe kosovarët.

Ka qarkulluar rëndom një mendim matanë kufirit, të paktën deri nga fundi i viteve ’80-të, lidhur me nacionalizmin, patriotizmin dhe mbështetjen që Ever Hoxha i kishte dhënë çështjes së Kosovës. Për kosovarët që jetonin me nostalgjinë dhe idenë e Shqipërisë si kombi ‘mëmë’ dhe udhëheqësi i saj si mbrojtës i tyre, një gjë e tillë ka qenë pjesërisht e justifikuar. Sidomos brezi i protestave studentore të ’81 shihnin te retorika e Shqipërisë në atë periudhë një mbështetje të madhe. Nuk po flasim këtu për atë pjesë të kosovarëve që kishin ardhur në Shqipëri në ato vite dhe e kishin të qartë realitetin brenda vendit, vështirësitë dhe survejimin me të cilin përballeshin ata vetëm se ishin kosovarë.

Por, nëse një gjë e tillë mund të justifikohej deri para viteve ’90-të, pas hapjes dhe nxjerrjes në pah të fakteve dhe të vërtetave historike, kjo nostalgji shndërrohet në një naivitet dhe në një keqkuptim të raporteve të shqiptarit me veten, të kaluarën dhe me atë se si duhet ta lexojmë historinë dhe të shkuarën për të mos bërë më të njëjtat gabime në të ardhmen.

Në gjenezën e saj, partia komuniste është një krijim jugosllav, si garanci kundër nacionalitëve kundër idesë së bashkimit me Kosovën. Për të mos folur për masakrën e Tivarit dhe deri tek internimet, përndjekjet dhe burgosjet e atyre kosovarëve që u përpoqën të strehoheshin apo të jetonin brenda kufijve të Shqipërisë.

Është e kuptueshme që zërat nostalgjikë shfaqen edhe si rezultat i krizës së madhe në të cilën ndodhet sot media, e cila u jep zë për arsye të tjera, pa kurrfarë filtri, ndonëse e vërteta historike nga studiues serioz është bërë e qartë, ndërkohë në rrafshin akademik nuk ka asnjë paartësi të tillë.

Tubimi që ndodhi në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ishte diçka e bukur, e duhur dhe një ogur i mire shprese për atë që mund të vijë në të ardhmen, por zhvillime të tilla nuk duhen bërë pis me glorifikime të figurës së diktatorit, falë drejtimit dhe sistemit të tij as Shqipëria as Kosova nuk kanë pasur të mira në raport me atë që do duhet të kishin, përkundrazi një pjesë e madhe e popullsisë kanë vuajtur nëpërmjet internimeve, burigimeve apo qoftë edhe dënimeve kapitale vetëm për shkak të dashurisë për Kosovën dhe për çështjen kombëtare.