Dmitry Suslov, këshilltar i Kremlinit për politikën e jashtme, thotë se Trump nuk ka ndërmend realisht të furnizojë Ukrainën me raketa Tomahawk, sepse ky veprim do të kërkonte prani ushtarake amerikane në terren dhe do përbënte një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA në luftë. Në një intervistë për Corriere della sera, ai tha se Rusia e sheh këtë si një manovër presioni politik, dhe jo si një kërcënim konkret.

Sipas Suslovit, një furnizim i tillë do të çonte në ndërprerjen e çdo dialogu me administratën Trump, por nuk do të ndryshonte ekuilibrin ushtarak në terren.

“Janë raketa me rreze të mesme veprimi dhe kjo do të thoshte një përshkallëzim i konsiderueshëm, aq më tepër që nuk mund të përdoren pa praninë e personelit ushtarak amerikan në terren: përdorimi i tyre do të nënkuptonte pra përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në konflikt kundër Rusisë. Çka bie ndesh me të gjitha deklaratat e Trump për depërshkallëzimin dhe përparësitë e tij të ndryshme. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë këtë si një fushatë presioni, e cila nuk do të funksionojë. Rusia ka besim të plotë në aftësinë e saj për të mbizotëruar dhe për të arritur objektivat e saj në Ukrainë”, u shpreh ai.

Më tej, thotë se marrëdhëniet mes Putinit dhe Trumpit janë ftohur pas samitit në Alaskë, ku, sipas tij, kishte mirëkuptim për një marrëveshje që më pas u hodh poshtë nga Ukraina dhe europianët, pa ndërhyrjen e Trumpit për ta zbatuar. Ai beson se retorika e re amerikane dhe presioni janë pjesë e një fushate për ta detyruar Rusinë të lëshojë në bisedimet e paqes.

“Problemi është i thjeshtë: në perceptimin e Rusisë kishte pasur një mirëkuptim midis Putinit dhe Trump për parametrat kryesorë të një marrëveshjeje përfundimtare, dhe i takonte presidentit amerikan ta paraqiste atë tek evropianët, në mënyrë që bashkë me Ukrainën ta pranonin përmbajtjen e saj. Por evropianët dhe ukrainasit e kanë refuzuar.”, shtoi ai.

Në lidhje me sulmet me dronë në Europë, Suslov mohon përfshirjen ruse dhe thotë se vetë europianët dhe Ukraina kanë më shumë interes për një përshkallëzim, për të shtyrë SHBA të angazhohet më fort në mbështetje të Kievit. I pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, ai thotë se ekziston ende mundësia, por vetëm nëse Trump ndryshon qëndrim dhe rifillon presionin ndaj Ukrainës dhe Europës për të pranuar marrëveshjen e formuluar në samitin e Alaskës.

Intervista e plotë:

Pra, sipas jush, Trump nuk ka asnjë qëllim konkret t’i japë Tomahawk-ët Ukrainës?

“Është e vështirë për Moskën të mendojë se SHBA-të do të furnizojnë raketa lundrimi të bazuara në tokë, sepse për këtë bëhet fjalë në rastin e Ukrainës, e cila nuk ka anije apo nëndetëse të përshtatshme. Deri më sot, në fakt, ato nuk i kanë dhënë kurrë ndonjë vendi aleat evropian. Vetëm vitin e ardhshëm, sipas një vendimi të marrë nga administrata Biden, Tomahawk-ët duhet t’i dorëzohen Gjermanisë”.

Po nëse më pas ai i dorëzon?

“Janë raketa me rreze të mesme veprimi dhe kjo do të thoshte një përshkallëzim i konsiderueshëm, aq më tepër që nuk mund të përdoren pa praninë e personelit ushtarak amerikan në terren: përdorimi i tyre do të nënkuptonte pra përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në konflikt kundër Rusisë. Çka bie ndesh me të gjitha deklaratat e Trump për depërshkallëzimin dhe përparësitë e tij të ndryshme. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë këtë si një fushatë presioni, e cila nuk do të funksionojë. Rusia ka besim të plotë në aftësinë e saj për të mbizotëruar dhe për të arritur objektivat e saj në Ukrainë”.

Pra, nëse Trump do të furnizonte raketat, do të ishte për Rusinë një “ndryshim loje”?

“Po në planin politik, jo në atë ushtarak. Dua të them që Tomahawk-ët nuk do ta ndryshonin raportin e forcave në terren, nuk janë arma magjike që përmbys fatin e konfliktit. Por politikisht, kjo do të ishte fundi i pakthyeshëm i çdo dialogu me Administratën Trump mbi çështjen e Ukrainës. Çdo kanal do të mbyllej, edhe në plan personal mes dy liderëve”.

Në rastin e përdorimit të tyre, a do të përgjigjej Rusia duke goditur territore të NATO-s?

“Do të varet nga dëmi dhe nga fakti nëse do të godisnin objektiva strategjikë në territorin rus. Nëse do të ishte kështu, nuk do të kishte asnjë dyshim që ne do të godisnim objektiva ushtarakë brenda vendeve të NATO-s. Do të kishte një përshkallëzim horizontal të luftës”.

Çfarë ndodhi pas samitit në Alaskë? Trump thotë se Putini e ka zhgënjyer.

“Zhgënjimi është i ndërsjellë. Impulsi pozitiv që samiti veror i kishte dhënë marrëdhënieve tona është shteruar. Problemi është i thjeshtë: në perceptimin e Rusisë kishte pasur një mirëkuptim midis Putinit dhe Trump për parametrat kryesorë të një marrëveshjeje përfundimtare, dhe i takonte presidentit amerikan ta paraqiste atë tek evropianët, në mënyrë që bashkë me Ukrainën ta pranonin përmbajtjen e saj. Por evropianët dhe ukrainasit e kanë refuzuar. Jo vetëm kaq. Kievi, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ka ashpërsuar qëndrimin e tij, pa bërë Trump asgjë për ta detyruar ta pranonte marrëveshjen e Anchorage-ut, përkundrazi duke rritur presionin mbi Rusinë. Retorika mbi zhgënjimin ndaj Putinit dhe fjalimi mbi Tomahawk-ët janë pjesë e një fushate, më shumë si kërcënim për të përpjekur ta vërë Moskën në cep dhe ta detyrojë të ndryshojë qëndrim mbi termat e planit të paqes, sesa si perspektivë konkrete”.

Lufta hibride e muajve të fundit kundër Evropës – dronë, shkelje ajrore, sulme kibernetike – mban firmën ruse sipas të gjitha vendeve që janë bërë objekt i tyre, edhe pse Putini e mohon. Çfarë qëllimi ka?

“Është vërtet e vështirë të thuhet nga vijnë sulmet. Po citoj rastin e Danimarkës, ku arrestuan disa hakerë dhe lidhja me Rusinë nuk u provua. Ndoshta duhet të pyesim veten se kush përfiton nga e gjithë kjo? Nga perspektiva ruse, shërben për të nxitur përshkallëzimin që evropianët duan për të bindur Administratën amerikane të ndryshojë qëndrim dhe të mbështesë më shumë Ukrainën. Rusia nuk ka asnjë interes për një përshkallëzim, jo më pak sepse po fiton”.

Është më e mundshme që Moska të jetë duke testuar aftësitë e reagimit të NATO-s dhe dëshiron të mbjellë panik në Evropë.

“Është fakt që këto episode tregojnë papërgatitjen e Evropës për çdo lloj përballjeje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë. Evropianët ndahen dhe diskutojnë nëse janë apo jo në luftë me Moskën. Por e vetmja gjë e sigurt është që ata nuk janë gati për një luftë të vërtetë”.

Pra ju e pranoni indirekt se po e vini Evropën në provë?

“Putini e ka mohuar. Por gjithashtu kam thënë më parë që interesi më i madh për një përshkallëzim e kanë Ukraina dhe vendet evropiane, veçanërisht ato të frontit lindor”.

Sa dëm po i bëjnë përpjekjeve ushtarake ruse sulmet e Ukrainës kundër infrastrukturave energjetike dhe fabrikave të armëve?

“Shkaktojnë dëme të rënda, sigurisht. Por jemi brenda një lufte konsumimi. Çdo dëm reciprok është relativ dhe dëmet që Rusia i shkakton Ukrainës janë pafundësisht më të mëdha dhe shkatërruese”.

Po përparoni ngadalë, disa llogarisin që me këtë ritëm rusëve do t’u duheshin njëqind vjet për të pushtuar gjithë Ukrainën. Nëse po fitoni siç thoni, pse nuk arrini të depërtoni?

“Futja e dronëve ka ndryshuar në mënyrë thelbësore dinamikën dhe taktikat e luftës. Kohët e fundit Valery Zaluzhny, ish-shefi i forcave të Kievit, ka shkruar një artikull ku mbron pikërisht këtë tezë. Tani çdo gjë është e dukshme, për shkak të dronëve. Nuk është më e mundur të përparosh me shpejtësi, sepse çdo gjë që shihet mund të shkatërrohet menjëherë. Pra, asnjë përqendrim masiv trupash, por përparime të kufizuara të besuara grupeve të vogla pararojë ushtarësh”.

Por kështu Ukraina mund t’ju mbajë të bllokuar përjetë.

“Jo. Sepse ndërsa forcat ruse përparojnë, sado ngadalë, eliminojnë shumë ushtarë ukrainas. Dhe kjo në një luftë konsumimi është më e rëndësishme se pushtimi i territorit të ri, e pranon edhe Zaluzhny. Sigurisht që edhe rusët vdesin, por për Kievin kostoja njerëzore është një fakt rraskapitës, sepse mungesa e trupave është pika e tij e dobët e vërtetë. Përparësia ruse në aspektin e dronëve dhe artilerisë është bërë e jashtëzakonshme. Ukraina do të vazhdojë të rezistojë për një periudhë të caktuar kohe, nuk mund të parashikojmë sa. Por disfata e saj është e pashmangshme”.

A ka ende ndonjë shans për një armëpushim apo një marrëveshje paqeje?

“Po, nëse Trump ndryshon mendim dhe kthehet të ushtrojë presion mbi ukrainasit dhe evropianët, në vend që mbi Rusinë. Marrëveshja për ne mbetet ajo e Alaskës. Përndryshe lufta do të vazhdojë deri sa Trump të ndryshojë mendje. Dhe atëherë ndoshta do të ketë një mundësi tjetër për paqe”.