Sezoni i 5-të i podcastit “Flasim”, i Kryeministrit Edi Rama, u hap me një bisedë të gjatë me Ogerta Manastirliun, e kandidatja për t’u bërë kryetarja e re e Bashkisë së Tiranës. Episodi u fokusua te rrugëtimi personal e profesional i Manastirliut nga fëmijëria në qendër të kryeqytetit, deri te detyrat publike dhe ambicia për Tiranën e radhës.
Në hyrje të episodit, Rama e cilësoi garën në Tiranë “të jashtëzakonshme”, jo vetëm sepse kryeqyteti është “lokomotiva e ekonomisë”, por edhe për rrethanat që e kanë lënë qytetin pa kryebashkiak duke shtuar se “Tirana nuk mund të presë”.
Duke e prezantuar Ogerta Manstirliun si “kryetarja e parë grua e bashkisë së Tiranës”, Rama theksoi se publiku ka të drejtë të dijë më shumë për historinë e saj personale dhe profesionale.
Manastirliu rrëfeu se ka lindur dhe është rritur në Tiranë, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në të ashtuquajturat pallatet e artistëve. “Mamaja valltare në Ansamblin e Operës dhe Baletit, babai ushtarak. Fëmijëria ime ka qenë mes korridoreve të Teatrit të Operës dhe Baletit,” tha ajo, duke kujtuar zërat e korit, prapaskenat, kostumet dhe figurat e botës së artit që e kanë formësuar estetikisht.
Ajo tregoi se në fëmijëri “ishte e dyzuar” mes valles dhe operës, e tërhequr sidomos nga modeli i dirigenteve dhe solistëve: “Mendoja një ditë se mund të bëhesha këngëtare… apo pse jo edhe një dirigjente e mirë”.
Manastirliu u ndal te vitet e vështira të tranzicionit. Adoleshente, ajo u dërgua për studime në Itali, në Bari, por vendosi të kthehej. “Dëgjoja në telefon për kaosin e pasigurinë… ndjeja se duhej të isha këtu,” tha ajo, duke e përshkruar 1997-ën si një traumë shoqërore.
“Mbaj mend ’97-ën: ishte, për të gjithë ne, për të gjithë brezin tonë, një moment i vështirë i historisë së Shqipërisë, por edhe një traumë e shoqërisë që na ka shenjuar si brez”.
Manastirliu studioi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. “Kimia më mësoi ekuilibrin, kombinimin e imagjinatës me logjikën,” tha ajo. U angazhua fillimisht si vullnetare në një grup të rinjsh për zgjedhjet e vitit 2000 për Tiranën ku kandidati i Partisë Socialiste ishte Edi Rama: “Ishte një furgon i vogël, i brenduar me një akuarel të qendrës së Tiranës, asaj historikes te sheshi “Skënderbej”, dhe shkruante “Me Edi Ramën për Tiranën”…Aty filloi një rrugëtim që, për të thënë të vërtetën, ishte edhe një tjetër vetëdijësim; ka bërë një pjesë të këtij rrugëtimi, por edhe hapjes së syve, një lloj zgjimi tim për të parë përtej qendrës së Tiranës, ku në fakt ishte bërë jeta ime përgjatë gjithë atyre viteve. Me ju kemi shëtitur gjithë Tiranën, cep më cep, dhe për herë të parë unë pashë çfarë ndodhte jashtë unazës së Tiranës, çfarë ndodhte në rrethinat e Tiranës, si ishte Tirana në atë kohë: sa e errët, sa zymtë. Dhe ishte një hapje sysh, ishte një zgjim, por ishte edhe një moment që jo vetëm mua, por të gjithë neve që ishim aty – dhe sigurisht të gjithë atyre që ju ju përkrahën – na u bë një moment sa zgjimi, aq edhe shprese.”, rrëfeu Manastirliu.
Pas diplomimit, ajo rrëfeu se aplikoi në Bashkinë e Tiranës dhe nisi punë si specialiste në njësinë e koordinimit të projekteve me donatorët dhe komunitetin. Më pas, në vitin 2005, mori drejtimin e shërbimeve sociale dhe strehimit deri në vitin 2011. “U ngrit sistemi i parë i përkujdesit social në nivel lokal: qendra për fëmijët e rrugës, mbështetje për nënat kryefamiljare, për të moshuarit, si dhe programet e strehimit social,” kujtoi ajo, duke përmendur projektin model me 419 banesa sociale në Shkozë.
Në pjesën më intime të intervistës, Manastirliu foli për partnerin e saj, Ermalin, dashurinë e nisur në gjimnaz dhe dy vajzat, Altea (20 vjeçe, studente e arkitekturës) dhe Emili (16 vjeçe, gjimnaziste). “Familja ime është kolona ku mbështetem,” u shpreh ajo, duke pranuar se ritmet e punës sjellin sakrifica dhe diskutime, por edhe mirëkuptim: “T’u shërbesh të tjerëve është mision, por shërbimi fillon në familje.”
Duke iu kthyer garës për kryeqytetin, Manastirliu e cilësoi “një mision historik”. “Tirana është rritur; është 1 milion banorë. Është qyteti ku duhet të bëjmë përditshmërinë më të jetueshme e më të gëzueshme. Për mua nuk ka rëndësi karrigia; ka rëndësi kontributi,” tha ajo, duke e parë suksesin si produkt të “skuadrës” dhe të balancës së roleve si në një skuadër.
Rama, nga ana e tij, sqaroi se përzgjedhja e kandidaturës u mbështet në testime të vijueshme të opinionit publik: “Në të gjitha anketimet, ti ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte me diferencë nga çdo emër tjetër.” Ai u shpreh i bindur se “Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare që do të jetë pjesë e njerëzve që bëjnë histori.”