Këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në orën 10:00 për seancën plenare, me një rend dite që përfshin raportime vjetore të disa institucioneve si dhe diskutime mbi ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare.

Në seancë pritet të shqyrtohen raportet e veprimtarisë për vitin 2024 nga Avokati i Popullit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Po ashtu, në axhendë janë përfshirë diskutimet për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale.

Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe një projektvendim për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të KQZ-së, si dhe projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Diskutimet për formulat e përfaqësimit në Komisionet e posaçme u paraprinë një ditë më parë nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.