Të enjten do të zhvillohet seanca plenare e radhës në Kuvendin e Shqipërisë. Fillimisht, deputetët do të mblidhen në orën 10:00, për të shqyrtuar nismën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

PD ka dorëzuar një raport me argumente për shkarkimin e Peleshit, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca është shprehur prerë se do ta rrëzojë kërkesën e opozitës.

Më pas, seanca plenare do të rifillojë në orën 11:30, ku do të nisin raportimet vjetore të disa prej institucioneve të pavarura.

Në qendër të vëmendjes pritet të jetë raportimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, nën drejtimin e Mirela Bogdanit, institucion që ndodhet në një moment vendimtar, pasi së shpejti pritet të votohet Kreu i ri i SPAK.

Gjithashtu, në këtë seancë pritet të raportojnë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Radiotelevizioni Shqiptar, RTSH.