Opozita gjen konsensusin për Tiranë, kandidat i përbashkët përballë Manastirliut
Në kuadër të takimeve me aleatët dhe partitë e tjera të opozitës këtë të mërkurë, janë takuar përfaqësuesit e Partisë Mundësia me ata të Partisë Demokratike për të gjetur dakordësinë për një zgjedhje të një kandidati të përbashkët për Tiranën.

Për mediat pas takimit ka folur deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili është shprehur se opozita duhet të gjejë një kandidat që nuk i përket partive politike.

“Është totalisht e kundërta e Manastirliut. Një njeri profesion publik dhe që ka shanset dhe që është totalisht tjetër. Nuk po vëmë kusht për emrin, vetëm të jetë jashtë partive politike.”-tha Kapri për mediat.

Nga ana tjetër ka folur dhe Belind Këlliçi, bashkë me Alimehmetin, kanë thënë se kanë lajmin e mirë. Sipas tyre, është që kanë dakordësuar për një kandidat të përbashkët për Tiranën.

“Ishte takim pozitiv produktiv. Kemi dakordësuar për faktin që do duhet të gjejmë një kandidaturë që duhet të unifikojë të gjithë spektrin opozitar. Ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Tiranës që të gjitha partitë politike dhe forcat politike, kanë një lloj konsensusi për të dalë me një emër që mund të përballet me Ogerta Manastirliun.
Dakordësia në parim është arritur për të gjetur një emër. Për propozime kemi diskutuar emra të përveçëm. Kemi rakorduar mbi profilin që do duhet të kemi bashkarisht për një kandidat/e. Nuk kam ndërmend të dalim në emra konkret sot.”-tha Këlliçi.

Delegatët e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë zhvilluar takime këtë të mërkurë me aleatët për të gjetur një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës.

Mbas mbledhjes, burime bëjnë me dije se kandidatët e opozitës kanë propozuar: Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Haçka.