Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një mesazhi të publikuar këtë të mërkurë, duke folur për herë të parë pas zhvillimeve të fundit në lidhje me hetimet dhe akuzat ndaj tij. Veliaj i quan këto një “kurth të ngritur” mbi bazën e një dëshmie të rreme dhe paralajmëron se do të publikojë një seri rrëfimesh që, sipas tij, do të hedhin dritë mbi të gjithë ngjarjen.

“Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!”, shkruan Veliaj në mesazhin drejtuar qytetarëve, duke falënderuar për “qindra letrat” që thotë se ka marrë nga mbështetësit e tij.

Veliaj thotë se është përballur me një “hetim të paligjshëm nga anonimati”, i cili sipas tij ka shënjestruar jo vetëm jetën e tij, por edhe familjen dhe vetë qytetin e Tiranës.

“Një vetting 20-vjeçar i të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet i sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor i familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh,” shprehet Veliaj.

Në mesazhin e tij, Veliaj publikon pjesë nga një rrëfim noterial i shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti, për të cilin thotë se është baza e akuzave ndaj tij. Veliaj e cilëson këtë dëshmi si “gënjeshtra e parë” nga ku nisi një zinxhir ngjarjesh, që përfshinë “protesta të rreme, kallëzime anonime, kërcënime ndaj dëshmitarëve dhe shkallmimin e Tiranës”.

“Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion

Në përmbyllje të reagimit, Veliaj lëshon një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që e ndjekin:

“Ju përqafoj me mall të gjithëve! Do të luftoj për vete dhe për secilin prej jush!”