Pas bllokimit të një ngarkese me speca nga Shqipëria disa ditë më parë, autoritetet kroate kanë ndaluar sërish në kufi një tjetër produkt shqiptar. Kësaj here bëhet fjalë për një sasi kremi fistikësh, pasta pistachio, që rezulton të përmbajë nivele të larta të një toksine të rrezikshme për shëndetin.
Sipas njoftimit të publikuar në Sistemin Evropian të Alarmit për Ushqimin, RASFF, ngarkesa nga Shqipëria është ndaluar në pikën kufitare të Kroacisë më 8 shtator, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e lartë të aflatoksinës, një substancë kancerogjene që mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.
Produktet e ndaluara janë asgjësuar menjëherë nga autoritetet kroate. Ndërkohë, më 3 tetor është bërë edhe njoftimi zyrtar në sistemin RASFF, për të vënë në dijeni vendet e tjera anëtare të BE-së, në mënyrë që të ndalojnë tregtimin dhe përdorimin e mundshëm të kësaj sasie produkti, nëse është shpërndarë më tej.
Ky është rasti i dytë brenda një jave që një ngarkesë me produkte shqiptare ndalohet në kufijtë e BE-së për shkak të problemeve me sigurinë ushqimore, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi standardet e kontrollit cilësor të produkteve të eksportuara nga Shqipëria.