Qeveria shqiptare ka miratuar këtë të mërkurë një ndryshim në vendimin nr. 478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, që lidhet me sigurinë e zyrtarëve të drejtësisë së posaçme.
Sipas ndryshimit të miratuar, garancia për mbrojtjen personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të vijojë jo vetëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tyre, por edhe për një periudhë deri në 2 vjet pas përfundimit të mandatit.
Ndërkohë, për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, masat e mbrojtjes do të zgjasin deri në 3 vjet pas përfundimit të mandatit. Mbrojtja do të ofrohet nëpërmjet shoqërimit me truproja të nivelit bazë dhe të mesëm.