Një tjetër dosje kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha ka përfunduar në SPAK. Kësaj radhe bëhet fjalë për organizimin e grushtit të shtetit me protagonist vetë Berishën më 14 shtator 1998 në Tiranë. Është avokati Idajet Beqiri që ka dorëzuar dosjen në SPAK më datë 15 tetor kundrejt ish-kryeministrit Berisha, Genc Pollos, Ridvan Bodes, Shaban Memisë, Pal Dajçit, Ekrem Spahiut, Frrok Gjinit, Dem Dollapit, Alfons Zenelit dhe Artur Bejzades. Në kallëzimin e avokatit Beqiri thuhet se kërkohet nisja e procedimit penal për këto akuza “Kryengritje e armatosur” dhe “Organizata kriminale”.
“Në 14 shtator 1998, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kryen një Kryengritje të armatosur dhe disa akte terroriste. Një akt kriminal për ata që e përgatitën dhe e realizuan, traumatizues për shoqërinë shqiptare, i dhimbshëm për të gjithë ne që e përjetuam, i turpshëm për institucionet e shtetit tonë që nuk ishin në gjendje ta parandalonin dhe, kur ndodhi, ta shtypnin me forcën e ligjit”, thuhet në kallëzim.
Më 14 shtator 1998 PD pushtoi me grupe të armatosura për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Ngjarjet erdhën si pasojë e vrasjes së Azem Hajdarit natën e 12 shtatorit 1998 dhe pas refuzimit të ultimatumit të Sali Berishës nga ana e kryeministrit Fatos Nano për të dhënë dorëheqjen. /Shqiptarja