Pas dy vitesh robërie nga Hamasi, pengjet e liruara së fundmi kanë treguar për kushtet e rënda dhe çnjerëzore që kanë përjetuar në tunelet nëntokësore të Gazës. Nga izolimi dhe mungesa e ushqimit deri te torturat, dëshmitë e tyre japin një pasqyrë të errët të vuajtjeve që kanë kaluar.
Sipas Channel 12, Ariel Cunio u mbajt në izolim gjatë gjithë periudhës së robërisë, ndërsa vëllai i tij, David, ndodhej në tunele të ndara me Nimrod Cohen dhe Eitan Horn. David nuk kishte asnjë informacion apo qasje në lajme, dhe vetëm gjatë një takimi të shkurtër me Yarden Mibas – pas xhirimit të një videoje të Hamasit mësoi se binjaku i tij, Eitan, kishte mbijetuar sulmin e 7 tetorit. Gali dhe Ziv Berman ishin gjithashtu të ndarë dhe të izoluar plotësisht nga çdo kontakt.
Edhe pse ndodheshin në të njëjtin qytet, ata nuk ishin në dijeni se mund të ribashkoheshin. Pengmarrësit, sipas dëshmive, komunikonin me ta në hebraisht. Elkanah Bohbot kaloi pjesën më të madhe të kohës së tij të lidhur me zinxhirë në tunelet nëntokësore, duke humbur çdo ndjenjë për kohën dhe hapësirën. Në përvjetorin e martesës, ai i kërkoi një roje që ta lejonte të bënte një banjë. Fillimisht, roja refuzoi, por më pas pranoi.
Matan Angrest ishte plagosur në duar dhe gishta dhe iu nënshtrua trajtimit pa anestezi, duke vuajtur pasoja të rënda. Ai kishte herë pas here mundësinë të shihte video nga Sheshi i Pengjeve, ku dëgjoi mesazhe nga familja. Nëna e tij tregoi se kishte kaluar tortura të rënda, sidomos në fillim, kur konsiderohej si ushtar. Matan përjeton ende ankth nga përjetimet e dhunës, rrëmbimit dhe abuzimit. Ai foli për bombardime të forta mbi tunelet, avionë që fluturonin afër dhe mure që rrëzoheshin pranë.
Avinatan Or u mbajt në një kamp në Gazën qendrore, ku, sipas raportit mjekësor, humbi rreth 40% të peshës trupore për shkak të urisë. Ai ishte krejtësisht i izoluar dhe nuk kishte informacion për ngjarjet në Izrael pas sulmit. Babai i Eviathar David tha se djali i tij pësoi abuzime fizike dhe psikologjike, ndërsa ishte i ndarë nga Guy Gilboa-Dalal, që nga dy muaj më parë.
Alon Ohel kaloi thuajse dy vite i lidhur me zinxhirë në të njëjtin tunel. Vetëm 40 ditë më parë u zhvendos në një vend tjetër, pas një udhëtimi të gjatë drejt qendrës së Rripit të Gazës. Sipas IDF, kjo lëvizje kishte për qëllim ta përdorte si mburojë njerëzore për të penguar avancimin e ushtrisë në qytet.